Regresi drejt mesatares i LDK-së: Firmat për zhvotimin e Abdixhikut gati të plotësohen për Kuvend Zgjedhor - NACIONALE

Regresi drejt mesatares i LDK-së: Firmat për zhvotimin e Abdixhikut gati të plotësohen për Kuvend Zgjedhor

7 orë më parë

nga NACIONALE

Tre palë zgjedhje për t’u kthyer te “regresi drejt mesatares.”

Nga 20 deputetë (9 shkurt, 2025), në 15 (28 dhjetor, 2025), tash në 18 (7 qershor, 2026), është mesatarazimi i rënies elektorale të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lumir Abdixhiku në janar të këtij viti qëndroi me votë mbijetuese (54%) kryetar partie kur e hodhi veten në votëbesim para 355 delegatëve.

Legjimiteti i tij brendapartiak post-31-janar ishte i brishtë dhe nga shumëkush u konsiderua për kryetar me thjesht shumicë teknike.

Por, pavarësisht skizmës së madhe të manifestuar në votë, ai ri-ktheu Vjosa Osmanin në LDK dhe e vendosi bartëse të listës zgjedhore, duke bërë kapërcim të madh të kursit partiak.

“Bashkimi i madh” ishte refreni zgjedhor që Abdixhiku e pagëzoi elektoralisht.

Por, rezultati zgjedhor prej 16.69%, ose 18 mandate, Abdixhikun e ktheu në predikamentin e 31 janarit.

Mbi 160 nënshkrime, mëson gazeta Nacionale, më shumë se 1/3 e nevojshme, janë siguruar për të thirrur Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.

Organi më i lartë i partisë që gëzon autoritetin për të emëruar dhe shkarkuar kryetarin, mund të mblidhet 60 ditë pas deponimit të nënshkrimeve.

Kjo gjë nuk ka ndodhur ende.

Ndonëse formalisht është e mundshme që me 118 nënshkrime të thirret Kuvendi Zgjedhor, Nacionale mëson se inicuesit duan të jenë të sigurtë që të kenë 178 sosh që e bën shkarkimin të realizueshëm.

Zyrtari i lartë i LDK-së, Armend Zemaj njoftoi edhe vetë, pas mbledhjes së fundit të LDK-së, se janë mbledhur "mbi 150 nënshkrime" për shkarkimin e Abdixhikut.

"Unë i takoj një dege që ka dhënë vendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme," tha Zemaj. Sipas tij, kërkohet reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit, "duke filluar nga kryetari deri te nëndegët".

Zemaj e saktësoi se janë "më shumë se 150 nënshkrime" që kërkojnë Kuvend të jashtëzakonshëm në LDK. Ai shtoi se nuk ka njohuri nëse nënshkrimet janë deponuar zyrtarisht ende në parti. Sipas Zemajt, kishte edhe mendime kundërt, që i japin përkrahje kryetarit "që të vazhdojë më tutje".

Por, pavarësisht mungesës së këtij trungu të madh të legjitimitetit brendapartiak, ai, bashkërisht me Vjosa Osmanin, shkoi në takim me Albin Kurtin e Vetëvendosjes për të biseduar për formim të institucioneve për një “marrëveshje politike.”

Me tetëmbëdhejtë mandate formalisht, dhe me katër që dihen publikisht që nuk i zotëron, Abdixhiku s’i ka numrat për t’ia përmbushur Kurtit synimin për zgjedhjen e Presidentit, për ç’gjë duhen minimalisht 80 vota.

Me Vetëvendosjen dhe pakicat jo-serbe që bëhen 62 vota, dhe me LDK-në pa katër vota që dihen që s’i ka, bëhen vetëm 76. Megjithëkëtë, ai tha se u pajtua me Kurtin “që të vazhdojmë komunikimin.”

I pyetur për iniciativën e shkarkimit, ai tha se ende nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare. "Në LDK nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim formalisht."

Ai shtoi se zgjedhjet e rregullta për kryetarin janë parashikuar për vitin e ardhshëm, sipas Statutit.

"Ne kemi dalë prej një Kuvendi më 31 janar dhe një parti serioze matet me sa i përmbahet zotimeve të veta," tha Abdixhiku.

"Çfarëdo nënshkrimi që deponohet, unë menjëherë, me Statut, e thërras Kuvendin. Ne s'jemi as të përhershëm e as qëndrojmë me forcë," tha ai.

Ai u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet të zhvillohen brenda organeve të LDK-së.

"Do të doja që LDK të merret sa më pak me çështje që ndajnë LDK-në. Nuk e dua ndarjen e LDK-së," përfundoi Abdixhiku.

Lajme të ngjashme