Abdixhiku e merr seriozisht që Kurti synon marrëveshje: Çka pritet të dalë nga “negociatat e thelluara” VV-LDK?
Me t'u rilegjitimuar me shumicën minimale të nevojshme në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku nuk e paragjykoi përgjegjësinë kah Albin Kurti nëse shkohet në zgjedhje të reja, por kah deputetët e vet.
Ai paralajmëroi pesë ose gjashtë deputetët mosbesues ndaj tij se refuzimi i tyre për të qenë në bord me të në një ujdi me Vetëvendosjen do të kishte çmim politik te elektorati i LDK-së.
Në këtë mënyrë, Abdixhiku la të kuptohet se e konsideron të njëmendtë ofertën e Vetëvendosjes për një marrëveshje që do t'i jepte vendit institucione të reja, me LDK-në pjesë të pushtetit.
Kështu, ai e lidhi paraprakisht përgjegjësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme me qëndrimin e deputetëve të partisë së tij dhe jo me mungesën e gatishmërisë së Kurtit, çka ka qenë rasti, sipas vetë tij, që nga shkurti i vitit të kaluar.
Ndërkohë, Kurti thotë se synon të sigurojë 85 ose 86 vota për zgjedhjen e presidentit, "që të mos rrezikojmë". Vetëvendosja, bashkë me pakicat dhe LDK-në, arrin veçse te 80 votëshi.
Burime brenda LDK-së konsiderojnë se Abdixhiku e ka të kompletuar në parim marrëveshjen me Kurtin. Sipas këtyre burimeve, LDK-së mund t'i ofrohen posti i kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministri i parë dhe katër ministri. Kjo është mohuar deri më tani nga LDK-ja.
Lidhja Demokratike e Kosovës konfirmoi dje se Abdixhiku, ndryshe nga Bedri Hamza i PDK-së dhe Ardian Gjini i Aleancës, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, bëri të ditur se ftesa ishte pranuar gjatë pasdites dhe se takimi do të mbahet sot në orën 18:00.
"Po, pasdite kemi marrë ftesë nga kryetari i VV-së për të pasur një takim dhe për të diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit. Është konfirmuar që i njëjti do të mbahet në orën 18:00", deklaroi ajo.
Sipas saj, ende nuk është vendosur nëse Abdixhiku do të marrë pjesë i vetëm apo i shoqëruar nga ekipi i tij.
Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja vazhdon të ketë qëndrim të qartë për formimin e institucioneve dhe është e gatshme të kontribuojë brenda peshës së saj politike.
Ajo tha se partia nuk ka paraqitur deri tani kërkesa për poste ministrore dhe se bisedimet ndodhen vetëm në fazën fillestare.
"Në këtë fazë nuk kemi kërkesë. Kërkesa jonë tani ka të bëjë me formimin e presidentit... Nëse kjo na çon te diskutimi edhe për qeverinë, pastaj do të diskutojmë", tha Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, fillimisht duhet të ketë dakordim për orientimet strategjike dhe programin qeverisës, ndërsa ndarja e posteve mund të diskutohet vetëm më pas.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, paralajmëroi se kjo javë do të sjellë negociata "më të thelluara" me LDK-në.
"Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës... dhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces", deklaroi ai.
Konjufca tha se pret takime të tjera politike edhe para seancës konstituive të Kuvendit dhe u shpreh optimist për një marrëveshje "për të gjitha pozitat e larta".
Ai shtoi se edhe LDK-ja ka shprehur gatishmëri për dialog dhe se kjo krijon bazë për formimin e institucioneve. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i Vetëvendosjes, Vigan Qorrolli, i cili tha se pret një takim konstruktiv me LDK-në.
"Institucioni i kryeministrit është i pakontestueshëm dhe ai do të jetë Albin Kurti. Për pozitat e tjera besoj se do të gjendet një formulë në kuadër të një marrëveshjeje politike", deklaroi Qorrolli.
Sipas tij, në tavolinën e bisedimeve do të jenë përbërja e qeverisë dhe marrëveshja për zgjedhjen e presidentit, dy çështje që pritet të përcaktojnë nëse negociatat do të prodhojnë shumicën e re qeverisëse apo vendi do të mbetet në ngërç politik.