Refuzohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim të kirurgut Isuf Zekaj, dërgohet në arrest shtëpiak
Ndërsa gjatë ditës ishte raportuar edhe për arrestimin e kirurgut të tretë të Spitalit të Vushtrrisë, Isuf Zekaj, i dyshuar për vepren ‘marrje ryshfeti’, avokati Mahmut Halimi, ka njoftuar se Zekajt i është caktuar masa e arrestit shtëpiak
Arrestimi i kirurgut Zekaj, ishte konfirmuar sot nga zëdhënësi i i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, në të njoftimin e së cilit po ashtu thuhej se për Zekajn Prokuroria kishte paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Megjithatë, avokati Halimi ka njoftuar se pas seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda në Mitrovicë në çështjen kundër tij, kërkesa e Prokurorisë ishte refuzuar dhe të dyshuarit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
“Pas seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda në Mitrovicë në çështjen kundër Dr.Isuf Zekaj, u refuzua kërkesa për paraburgim e Prokuroris Themelore dhe iu caktua masa e arrestit shtëpiak. Beteja vazhdon drejtë zbulimit te prapaskenave dhe hijeve të errta....!” – ka shkruar Halimi në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se, edhe pse shkarkimi i Isuf Zekaj është iniciuar nga ministria e Shëndetësisë, ai ende vazhdon të jetë në detyrë si anëtar i Bordit të SHSKUK-së, pasi nuk është shkarkuar nga Qeveria.
Isuf Zekaj është arrestuar bashkë me dy kolegë të tij nga Spitali i Vushtrrisë, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj, nën dyshimin se kanë kryer veprën ‘marrje ryshfeti’ nga pacientët, për realizim të operacioneve në spital.

