“Reformë për interesa partiake”: Kritikohet ashpër projektligji për zgjedhje që ka bashkuar pozitën dhe opozitën
Projektligji për zgjedhjet, i cili pritet të miratohet se shpejti në Kuvendin e Kosovës, është kritikuar ashpër nga shoqëria civile. Projektligji i përkrahur nga të gjitha subjektet politike po konsiderohet si reformë për akomodimin e interesave partiake
Reformat Zgjedhore aktualisht është tema e vetme që ka bashkuar pozitën dhe opozitën. Projektligji për zgjedhjet, i cili është dërguar në Kuvendit nga Komisioni ad-hoc për Reformë Zgjedhore ka treguar konsensus të plotë në mes subjekteve politike parlamentare. Ky unifikimi e spektrit politik ndaj këtij procesi është parë me shqetësim nga shoqëria civile.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se politika është unifikuar për shkak se reforma ka prekur vetëm çështjet teknike të ligjit aktual.
Allen Meta nga D4D ka deklaruar për gazetën Nacionale se projekligji nuk ka prekur çështje përmbajtjesore.
“Po, në përgjithësi Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, nuk ka trajtuar çështje përmbajtjesore, por vetëm çështje teknike të cilat në përgjithësi kur i shohim janë për administrimin e zgjedhjeve, e të cilat kanë qenë të kërkuara vazhdimisht nga misionet e BE-së. E veçanta e këtij projekt ligji është se të gjitha partitë politike njëzëri janë pro këtyre ndryshimeve. Duke qenë se nuk janë prekur çështje më të detajuara, e bënë më të lehtë të kuptohet edhe arsya e pajtimit të të gjitha partive politike”, ka thënë Meta.
Edhe Instituti Demokratik i Kosovës është shprehur i zhgënjyer me punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Në një komunikatë për media, KDI ka bërë me dije se projektligji ka adresuar vetëm çështjet teknike.
“Edhe pse pritjet ishin që Komisioni të trajtonte reformën zgjedhore në mënyrë më përmbajtjesore, pra në përputhje me vetë emrin e tij, projektligji që do t’i prezantohet Kuvendit ka adresuar vetëm çështje të natyrës teknike që lidhen me administrimin e zgjedhjeve, e të cilat ishin kërkuar vazhdimisht nga misionet e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve”, ka vlerësuar KDI.
Sipas këtij instituti, kjo reformë ka shërbyer për akomodimin e interesave të ngushta të subjekteve politike.
“Shumë elemente, që janë në interes të garantimit të përfaqësimit sa më të drejtë dhe avancimit të demokracisë janë lënë anash, përkundër nevojës dhe rëndësisë që ato kanë. Në fakt, kjo “reformë”, përtej ndryshimeve kozmetike, i ka shërbyer shumë më tepër akomodimit të interesave të ngushta të subjekteve politike, veçanërisht lidhur integritetin e procesit zgjedhor – ku është shënuar regres serioz”, është thënë në komunikatën e KDI-së.
Mangësitë e projektligjit
Shoqëria Civile kanë numëruar të metat e projektligjit që ka unifikuar pozitën dhe opozitën.
Ata kanë bërë me dije se projektligji, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvend, i ka bërë disa ndryshime tejet të dëmshme.
Allen Meta nga D4D ka thënë se për disa çështje nevojitet më shumë debat.
“Sistemi zgjedhor momental i Kosovës ka të mirat dhe të metat e veta, të cilat vit pas viti na tregojnë edhe mundësitë në të cilat duhet të ketë rregullime e përmirësime. Sa i përket projekt ligjit aktual patjetër që do ti rregulloj disa prej çështjeve teknike, mirëpo edhe ndryshimet që janë bërë në disa raste janë tejet të dëmshme, siç janë kandidimi në lista zgjedhore, votimi preferencial, dhe mundësia e shkarkimit të anëtarëve apo kryesuesit të KQZ-së, me 2/3 e votave. Secila prej tyre i ka të metat e veta, e për të cilat nevojitet më shumë debat”, ka thënë Meta.
Më e ashpër ndaj këtij projektligji ka qenë KDI-ja. Sipas këtij institut, me këtë reforma partitë e kanë ulur standardin.
“Subjektet politike janë pajtuar që me këtë projektligj t’a ulin standardin për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, që në praktikë ua mundëson kandidimin edhe atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale. Ndalesa për të qenë kandidat në lista zgjedhore do të vlejë vetëm ndaj personave të dënuar me burgim efektiv prej së paku një viti apo atyre me dënime plotësuese. Duke qenë se sistemi ynë i drejtësisë shquhet për politikë të ulët ndëshkimore – ku vetëm gjatë dy viteve të fundit 2/3 e veprave penale për korrupsion kanë përfunduar me dënim me kusht apo me gjobë – projektligji i ri i hapë rrugë kandidimit, rrjedhimisht zgjedhjes së personave që kanë probleme me ligjin”, ka vlerësuar KDI-ja.
KDI ka rekomanduar që kandidimi të u mohohet të gjithë personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit.
“Çështja e tretë problematike që është futur në projektligjin e ri për zgjedhjet është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 e përbërjes së KQZ-së, për rastet e shkeljeve të integritetit apo statusit të KQZ-së, që deri më tani ka qenë në diskrecion të plotë të Presidentit. Ndryshimet e propozuara, përveç se nuk adresojnë problematikën e paqartësisë mbi rrethanat e shkarkimit, në fakt mundësojnë cenim edhe më të rëndë të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së. Ndryshimet në fakt mundësojnë politizimin e përfundimit të mandateve të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së”, ka vlerësuar KDI-ja.
Ky institut e ka vlerësuar si të gabueshëm edhe ndryshimin për votim preferencial, nga pesë kandidatë në 10.
“Bazuar në përvojën tonë në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe edukimin e votuesve, dhënia e mundësisë për votuesit që të votojnë deri në 10 kandidatë nuk kontribuon në përfaqësim më të mirë apo më kualitativ në Kuvend. Për më keq, rritja e votës preferenciale ka ndikim negativ edhe në administrimin e zgjedhjeve”, ka bërë me dije KDI.
Kryetari i Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, Abelard Tahiri, në prill të këtij viti ka bërë me dije se ky komision ka përfunduar punën për reformën zgjedhore. Komisioni, i cili në përbërje kishte përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare, për një vit ka punuar në hartimin e këtij projektligji.