Reagon Sveçla për incidentin në veri: Një polic shtëni me armë pasi vetura nuk u ndal
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas incidentit të ndodhur mbrëmë në veri, ku dyshohet se një zyrtarë i Policisë së Kosovës ka plagosur një qytetar serb.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intensive, dhe sipas tij zyrtarët policor kanë sinjalizuar M.J. që ndalet me makinën e tij, mirëpo i njëjti nuk ka përfillur urdhrin e policëve, me ç’rast këta të fundit janë detyruar që të gjuajnë me armë zjarri.
“Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intenzive. Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.” – ka shkruar Sveçla.
Ai tutje ka thënë se katër policët janë arrestuar më pas edhe janë suspenduar nga PK-ja.
Në fund Sveçla ka thënë se gjithsecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin.
“Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK. Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht dhe gjithsecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin.” – ka shkruar Sveçla.
