Reagon Komuna e Lipjanit pas arrestimit të nëntë zyrtarëve komunalë: Presim verdiktin final
Nëntë persona janë arrestuar pasi dyshohet të kenë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Akuza që rëndon mbi ta është mashtrim, teksa të njëjtit thuhet t'i kenë shkaktuar dëme rreth 300 mijë euro Komunës së Lipjanit.
Gjithçka raportohet të ketë ndodhur për një stadium futbollistik, ndërsa personat e apostrofuar kanë bërë pranimin e punimeve kinse janë kryer sipas kontratës.
Rreth kësaj ka reaguar Komuna e Lipjanit, të cilët kanë thënë se vërshimet në vitin 2021 kanë shembur dheun e rrethojave në qendrën e azilit në Magure, dhe sipas tyre komuna dy herë ka publikuar procedura për të riparuar atë shembje dheu dhe se në dy rastet operatorët nuk kanë punuar me ç’rast edhe nuk janë paguar.
“Për aq sa ne jemi në dijeni dheu i shembur si pasojë e reshjeve të shiut në janar 2021 në stadiumin e Magurës, ka dëmtuar rrethojat e qendrës së azilit në Magure. Pas kësaj shembje, komuna dy herë ka publikuar procedura për të riparuar atë shembje dheu nga reshjet dhe në të dy rastet të dy operatoret e kontraktuar (njoftimet janë publike në ëebsajt) nuk kanë kryer punimet dhe nuk janë paguar për punët e pakryera.” – thuhet në sqarim.
Komuna e Lipjanit ka theksuar se përkatësia politike e shërbyesve civil nuk duhet të shërbej për shfrenime të urrejtjeve personale e politike.
“Nëse ky parim sipas disave nuk vlenë për të gjithë njëjtë, atëherë përdoren standardin e njëjtë edhe për shërbyesit civil. Përkatësia politike e shërbyeseve civil nuk duhet t’u shërbej gjuetarëve kujdestarë për shfrenime të urrejtjeve personale e politike. Të presim verdiktin final pastaj të gjykojmë.” – thuhet në reagim.
