Reagon edhe BE-ja: E kemi thënë se zgjedhjet s’ofrojnë zgjidhje afatgjatë, s’pranojmë më provokime - NACIONALE

Reagon edhe BE-ja: E kemi thënë se zgjedhjet s’ofrojnë zgjidhje afatgjatë, s’pranojmë më provokime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka reagur edhe Bashkimi Evropian në lidhje me tensionet në veri të vendit, duke thënë se nuk do të pranojnë më “veprime të njëanshme provokuese”. Madje, e kanë ripërsëritur deklaraten që zgjedhjet nuk do të ofronin një zgjidhje politike afatgjatë.

Pas ShBA-së, edhe BE-ja ka bërë publik reagimin e saj, duke thënë fillimisht se dënojnë ashpër përleshjet mes policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri.

“Bashkimi Evropian dënon ashpër përleshjet që përfshijnë policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale. Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t'i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore.” – thuhet në reagim.

Tutje, BE-ja ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë veprim të njënashëm, apo provokues.

“Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet.” – bëhet e ditur në komunikatë.

Në fund, BE ka deklaruar si vijon: “Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk do të ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kryesore të interesit, që përfshin Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së.”

Situata në veri

Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.

Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.

Intervenimi i policisë në shpërndarjen e trumave para objekteve komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka bërë që disa zyrtarë të lëndohen.

Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.

Reagimi i ashpër i ShBA-së

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka reaguar ashpër në lidhje me zhvillimet në veri, madje, duke u shprehur se “dënojnë fuqishëm” veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ai e ka etiketuar kryeministrin Albin Kurti, duke i bërë thirrje t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE.”
– u shpreh ai.

Ndër të parët që reagoi në lidhje me këto zhvillime, ishte ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë.” – tha ai në një shrkim në Twitter.

Ndërkohë, përpos Hovenier, një reagim mjaft te ashpër e ka bërë edhe senatori amerikan, Chris Murphy.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se kur ishte në Kosovë, kryeministri Kurti nuk i kishte përmendur këtë plan.

Sapo pata telefonatë me Dereck Cholletin për këtë zhvillim shqetësues. Në takimin e të hënës në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për të hyrë në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës, jam zënë totalisht në befasi dhe ai duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë.” - ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme