Reagon BE-ja për Ligjin për Zyrtarët Publik: Shërbimi civil bëhet i cenueshëm ndaj politizimit
Kuvendi i Kosovës dje ka miratuar në lexim të dytë, Ligjin për Zyrtarët Publik, me 58 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenime.
Kryeministri Kurti e deputetët e Vetëvendosjes e cilësuan, ndër ligjet që pasqyron synimin për reformë në administratën shtetërore. Por njejt nuk po mendojnë as partitë opozitare, që kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Kushtetuese, e as misioni i Bashkimit Evropian, të cilët janë shprehur të zhgënjyer.
Sipas BE-së, me këtë ligj, shërbimi civil potencialisht bëhet i cenueshëm ndaj politizimit.
Reagimi i plotë i BE-së
“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit.
Bashkimi Evropian angazhohet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të gjitha aspektet e reformës së administratës publike pasi kjo është parakusht kyç për integrimin në BE dhe me rëndësi thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e Kosovës. BE-ja është gjithashtu partneri kryesor i Kosovës për sa i përket mbështetjes financiare për këto reforma.
Për ta ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE në këtë fushë të reformave, BE-ja në bashkëpunim me ekipin e ekspertëve të OBEZH/SIGMA, ka paraqitur në disa raste komente për Projektligjin për zyrtarët publikë dhe për Projektligjin për pagat.
Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë në mënyrën më të mirë dhe të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, thuhet në reagim.
