Rasti kokaina në Leposaviq e ndalimi i dinarit - ngjarjet kryesore të javës
Rasti i “kokainës” në zyret e objektit të komunë së Leposaviqit, ishte ndër ngjarjet kryesore të javës që po e lëmë pas. Megjithatë, një çështje shumë me rëndësi dhe e cila pritet të diskutohet edhe për një kohë të gjatë, është puna e ndalimit të dinarit serb në Kosovës. Çka ndodhi gjatë javës?
Kokaina në Leposaviq
Dragana Miletiq e njohur me nofkën ‘Beba’ nënkryetare e komunës së Leposaviqit është shkarkuar pas publikimit të pamjeve nga Nacionale.
Në këto pamje, ajo shihej duke konsumuar substanca narkotike të llojit kokakinë.
Njëra prej videoeve duket të jetë realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit.
E në një tjetër video nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë në zyrët e komunës, bashkë me një tjetër punëtor.
Nacionale nuk u ndalë me kaq, pasi publikoi edhe pamje të tjera të zyrtarëve të tjerë që konsumonin drogë në këtë komunë.
Gjithashtu është suspenduar polici Pavle Radoviq pas kërkesës së Inspektoratit Policor të Kosovës.
I sipërpërmenduri bashkërisht me disa punonjës të tjerë të komunës shihen teksa konsumojnë substanca narkotike të dyshuara si kokainë.
Në videot që ka siguruar Nacionale, polici Radoviq shihet teksa drogohet në shoqërimin e punonjësve, e madje dëgjohen edhe zëra duke sharë: “f..k the police”.
Nacionale publikoi audio-incizime edhe Radoica Radomiroviq, zëvendësministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Në këtë video, ai ofendon kryetarin e komunës, Lulzim Hetemin.
E ofendon me fjalën k** të thënë në gjuhën serbe. Kjo gjatë një diskutimi me drejtorin e Urbanizmit, Marko Jabllanoviq.
Ndërkohë, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka paralajmëruar se do të shkarkojë këdo që është i përfshirë në këtë skandal.
Ndalimi i dinarit
Një temë tjetër e rëndësishme që u diskutua gjatë javës që po e lëmë pas e që do të vazhdojë të diskutohet edhe javëve të ardhshme, është ndalimi i dinarit përmes Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.
Pala ndërkombëtare kishte kërkuar që rregullorja të shtyhet, por që kjo gjë nuk është plotësuar nga Qeveria Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk përzihen në punën e BQK-së.
“Lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore, kryeministri tha se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj. Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre.” – ka thënë Kurti.
Por kjo gjë, ka nxitur reagime të ashpër nga ambasada e SHBA-së në Kosovës, por edhe shtetet e tjera evropiane.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së që parasheh ndalimin e dinarit.
Në një reagim, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier është shprehur “thellësisht i shqetësuar”.
"Ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre." - thuhet në reagim.
Mbetet të shihet nëse Kosova do të vendos në shtyrjen e zbatimit të kësaj rregullore.