Pas raportimit të Nacionales suspendohet polici serb që drogohej në Komunë të Leposaviqit
Është suspenduar policit Pavle Radoviq pas kërkesës së Inspektoratit Policor të Kosovës. E gjitha kjo pas publikimit nga gazeta Nacionale të pamjeve ku brenda objektit të Komunës së Leposaviqit. I sipërpërmenduri bashkërisht me disa punonjës të tjerë të komunës shihen teksa konsumojnë substanca narkotike të dyshuara si kokainë.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve të reja në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës. Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor. IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Në videot që ka siguruar Nacionale, polici Radoviq shihet teksa drogohet në shoqërimin e punonjësve, e madje dëgjohen edhe zëra duke sharë: “f..k the police”.
Para publikimit të videove, Nacionale kishte konfirmuar se në listat e Policisë në Leposaviq ishte një polic me të njëjtat të dhëna që i posedonim edhe ne.
Pavle Radoviq figuronte në listat e zyrtarëve policorë. Megjithatë, emrin e zyrtarit policor nuk do e kishim publikuar deri sa të kishim një konfirmim nga institucionet të cilat e kanë emrin.