Rasti Hajrizi: "Kryeministri duhej të ndërmerrte masa", avokati Berisha thotë se Haxhiu "baltosi institucionet"
Besnik Berisha, kryetar i Odës së Avokatëve, ka kritikuar përfshirjen e Qeverisë së Kosovës në rastin e Faton Hajrizit në atë që ai e quajti “inkriminimin e një të vdekuri”. Sipas tij, çudia më e madhe e krejt kësaj sage mbetet “përbaltosja e institucioneve nga vetë ministrja e Drejtësisë”.
“Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të përfshihej në sagën, sidomos në inkriminimin e një të vdekuri – ndonëse nuk është konfirmuar dhe ne duhet ta marrim që akoma është i gjallë për aq kohë sa nuk ka një dëshmi – por gjithsesi gjasat e mëdha janë që ai është vrarë në përpjekjen e policisë serbe për ta arrestuar si një rezultat i një krimi që ai dyshohet që e kishte kryer”, tha ai në emisionin "Pressing" në T7.
"Përbaltosje të institucioneve", i quajti avokati Berisha konspiracionet e çuditshme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila pretendoi se në arratisjet e fundit, të cilat janë bërë më të shpeshta, ka gisht edhe Serbia.
“Ajo çfarë është për t’u çuditur është përbaltosja e institucioneve nga vetë ministrja e Drejtësisë, institucionit Korrektues, kur tha që Serbia ka gisht në arratisjen e të burgosurve tanë. Kjo i bie sikur unë të akuzoj për një shkelje të do ta bënte një avokat i Kosovës dhe të dalë të them që në Odën e Avokatëve të Kosovës ka gisht Serbia. Kjo është shqetësuese”, tha ai, duke iu referuar komenteve të fundit të Haxhiut.
Madje, avokati ka deklaruar se vetë kryeministri Kurti do duhej të merrte masa pas deklarimeve të ministres Haxhiu.
"Vetë kryeministri duhet të ndërmerrte masa sepse në fund drejtori i burgjeve i përgjigjet ministres", tha ai.
Berisha ka trajtuar edhe imazhin kontrovers të Hajrizit, duke theksuar se ai nuk mund të konsiderohet një "hero" përderisa ka kaluar kohën e tij në burgje për shkak të krimeve të kryera në vazhdimësi.
“Fatoni nuk do ta konsideroja asnjëherë hero sepse nuk mund të konsiderohet hero dikush që në kohen e pasluftës arratiset nga një burg i cili është dhënë si privilegj për shkak të kohës së kaluar në burg dhe për shkak të krimeve të tij të kryera në vazhdimësi”, tha ai.
Megjithatë, Berisha tha se nuk mund ta konsideroj Hajrizin as si një kriminel për shkak të mungesës së informacioneve në lidhje me vrasjen e policit në Serbi.
“Nuk mund ta konsideroj as kriminel për aq kohë sa nuk ka një gjykim kundër tij sepse nuk e dimë në Serbi se si ka ndodhë vrasja e policit. Mendoj se folklorizmit duhet t’i ikim”, tha ai.