Rashiq për shpalljen e organizatave terroriste: Vendim i nxituar, kontribuon në panikun tashmë të krijuar - NACIONALE

Rashiq për shpalljen e organizatave terroriste: Vendim i nxituar, kontribuon në panikun tashmë të krijuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nenad Rashiq, ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për “Radio Evropën e Lirë”, ku ka folur për situatën e tensionuar në veri.

Rashiq ka komentuar edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Cvile” dhe “Brigadës së Veriut”, duke thënë se ai nuk ka dashur t’i mbrojë këty formacione ilegale serbe, por se ka pyetur për metodologjinë e këtij vendimi.

“Para së gjithash, nuk ka qenë qëllimi që disa organizata të mundshme, që në këtë rast janë terroriste, të kuptohen si mbrojtja ime e atyre organizatave. Desha të theksoj si gjithmonë, e thashë edhe dje në Qeveri, se me cilat metodologji do të përcaktohet faktikisht, apo me cilat metodologji është përcaktuar se këto organizata janë terroriste apo ekstremiste dhe cilët do të jenë hapat pas kësaj? Kur do t’i identifikojnë, kush do të thotë se njëri nga individët është terrorist apo ekstremist?” – theksoi Rashiq në intervistën për REL.

Tutje, ministri serb në Qeverinë e Kosovës vlerësoi se një hap i tillë i kontribuon panikut tashmë të krijuar.

“Përveç kësaj, ju vetë e dini se kohëve të fundit ka pasur shumë turbulenca për bashkëqytetarët tanë në veri të Kosovës dhe e gjithë kjo kontribuon në panikun që tashmë është krijuar. Nuk e di nëse e dini, por e di që çdo ditë, apo çdo të dytën ditë, keni një eksod nga veriu. Dhe ata njerëz që qëndruan, me disa vendime të nxituara si kjo vihen në një situatë edhe më të keqe, duke e bërë qëndrimin e tyre të pasigurt. Pra, vendim shumë i nxituar, për mendimin tim. Ndoshta do të duhej ta analizonim mirë. Në asnjë mënyrë nuk kam dashur të mbroj apo mbështes ndonjë organizatë që mund të quhet terroriste apo ekstremiste, por janë vendime që kanë nevojë për një hulumtim pak më të thellë dhe konstatim të fakteve dhe vetëm pas konsultimit të merret një vendim i tillë.” – theksoi ai.

Lajme të ngjashme