Mbi gjysma e votave me postë të numëruara, VV ruan mandatin e 52-të
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të kryesojë në votat me postë, pas procesimit të 117 nga 223 vendvotime, apo 52.47% të tyre.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara në platformën e rezultateve, VV ka marrë 30,691 vota duke ruajtur kështu mandatin e 52-të, që përbëjnë 69.84% të votave të procesuara deri më tani nga ky lloj votimi.
Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 6,143 vota, apo 13.98%.
Partia Demokratike e Kosovës është e treta me 3,882 vota, përkatësisht 8.83% të votave me postë të procesuara deri në këtë fazë.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 2,225 vota, apo 5.06%.
Këto rezultate janë ende preliminare, pasi procesimi i votave me postë nuk ka përfunduar. Deri në përditësimin e fundit, të publikuar më 15 qershor në ora 23:00, mbeten ende pa u procesuar edhe 106 vendvotime nga gjithsej 223.
