Raportohet se patriarku Porfirije e ka anuluar vizitën në Kosovë
Radiotelevizioni i Kosovës ka raportuar se patriarku serb, Porfirije, e ka anuluar vizitën në Kosovë.
Në artikullin e RTK-së, nuk tregohen arsyet e anulimit të kësaj vizite, ndonëse sot u konfirmua se vizita i është lejuar nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Paralajmёrimi i Patriarkut Porfirije se planifikon tё hyjё pa truproje nё Kosovё është edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia.” – thuhej në njoftim.
Ndërkaq, më herët nga zyra e kryeministrit u bë e ditur se Kurti i ka dhënë leje Patriarkut Porfirije që të vizitojë Kosovën pas kërkesës nga ministri i për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.
Ndryshe Patriarku Porfirije e kishte planifikuar një vizitë në Kosovë në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaposrës (MPJD) i kishte listuar disa kushte rreth vizitës së patriarkut serb.
Një nga këto kushtet ishte edhe distancimi i Patriarkut Porfirije nga personat e Kishës Ortodokse Serbe që sipas MPJD-së i ofronin përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës.
Madje, atij i ishte ndaluar hyrje përmes pikëkalimit kufitar të Merdares, ndonëse vizita ishte planifikuar të ndodhte më 26 deri më 28 dhjetor të 2022, që ishte edhe periudhë e tensioneve të larta në veri, ku pati edhe barrikada e të shtëna me armë.
