Raportohet për vendosje të një barrikade tjetër në Kurshumli, 15 kilometra larg pikëkalimit kufitar në Merdarë - NACIONALE

Raportohet për vendosje të një barrikade tjetër në Kurshumli, 15 kilometra larg pikëkalimit kufitar në Merdarë

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Një grup prej rreth njëzet personave, sonte kanë bllokuar pikëkalimin në Merdarë në territorin e Serbisë, në shenjë mbështetjeje për serbët nga Mitrovica e Veriut.

Kalimi është i bllokuar në Kurshumli, rreth 15 kilometra larg pikëkalimit kufitar në Merdar.

Qytetarët kanë vendosur në rrugë një kamion me rimorkio dhe traktorë.

Komunikacioni nuk është duke lëvizur në asnjërën anë dhe kolonat e veturave janë formuar si nga drejtimi i Kosovës ashtu edhe në drejtim të Serbisë.

Të tubuarit mbajnë flamuj të Serbisë dhe theksojnë se kanë ndërmend të qëndrojnë atje deri në një njoftim të dytë.

"Jemi këtu për t'i mbështetur bashkatdhetarët tanë në Mitrovicën e Veriut, të cilët po luftojnë për të drejtat e tyre elementare të njeriut, të cilat janë kërcënuar në mënyrë drastike së fundmi", tha Nebojsha Stankoviq, duke shtuar se presin që t'u bashkohen edhe më shumë njerëz.

Serbët në veri të Kosovës kanë 18 ditë që protestojnë dhe kërkojnë lirimin e të arrestuarve Dejan Pantiq, Miljan Axhiq dhe Sllagjan Trajkoviq, si dhe tërheqjen e forcave speciale të policisë nga veriu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për televizionin boshnjak “O Kanal”, ka folur për situatën në veri të vendit si dhe për barrikadat e vendosura nga ana e serbëve, po ashtu Kurti ka folur edhe për qëndrimin e dërguarit të posaçëm të SHBA-ve, Gabriel Esobar si dhe për nismën "Open Ballkan".

Kurti përsëri ka thënë se po presin KFOR-in, por nëse KFOR nuk i largon, ai ka thënë se “ne do t’i largojmë” barrikadat.

Kryeministri Kurti ka thënë se heqja e barrikadave nuk mund të zgjasë me muaj dhe se heqja e tyre është çështje javesh.

Nuk mund të zgjasë me muaj. Nuk mundet për javë të tëra. Mund të zgjasë vetëm me ditë”, ka thënë gjatë intervistës, shkruan Istraga.

Kurti kur u pyet për veriun ai u përgjigj duke thënë se barrikadat e vendosura janë episodi i dytë i serbëve pasi i pari ishte largimi nga institucionet.

“E kemi policinë tonë në veri, e cila tani është më prezente se më parë. Por ne kemi edhe njëmbëdhjetë barrikada. Këto barrikada ishin episodi i dytë i episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës.”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Serbia ka traditë vetëm për lufta dhe jo për demostrata dhe se krejt kjo po bëhet për të refuzuar planin franko-gjerman. /Nacionale/

Lajme të ngjashme