Raportohet për pesë civilë të vrarë nga sulmet ruse afër Bakhmutit
Tre burra e dy gra vdiqën të enjten nga sulmet ruse përreth qytetit Bakhmut, sipas një zyrtari rajonal.
Përpos të vrarëve, thuhet se nëntë civilë të tjerë kanë pësuar lëndime nga copëzat e predhave, raporton televizioni CNN.
Mosha e pesë civilëve të vrarë ishte nga 32 deri në 66-vjeçare, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e prokurorit rajonal në Donetsk.
Në këtë deklaratë thuhet se nga predhat janë dëmtuar shumë ndërtesa banimi.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, u bëri thirrje civilëve që kanë mbetur në Bakhmut që menjëherë të largohen nga qyteti.
“Thënë sinqerisht, unë jam shumë e befasuar që atje (në Bakhmut) janë ende 6 mijë civilë. Ata që zgjedhin për të qëndruar në Bakhmut, janë duke rrezikuar veten dhe të dashurit e tyre”- tha ajo.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se ai nuk do të pajtohej që të dorëzonte territor ukrainas në bisedimet e mundshme me Rusinë në të ardhmen.
“Çfarëdo kompromisi territorial do të na bënte ne më të dobët si shtet. Nuk ka të bëjë me vetë kompromisin. Pse do t’i frikësoheshim atij? Ka miliona kompromise në jetë. Pyetja është: me kë? Kompromis me Putinin? Jo, sepse nuk ka besim”- tha ai për televizionin BBC.

