Norvegjia do t’i dhurojë Ukrainës 6,87 miliardë euro si ndihma ushtarake e humanitare
Kuvendi i Norvegjisë ka njoftuar se do t’i japë Ukrainës 75 miliardë krona ose rreth 6,87 miliardë euro si pjesë e një pakoje 5-vjeçare të ndihmave, duke e bërë vendin e pasur me naftë njërin prej dhuruesve më të mëdhenj në botë ndaj Kievit.
Këto mjete do të ndahen në mënyrë të barabartë për ndihma ushtarake dhe humanitare gjatë pesë viteve të ardhshme, të ndara nga 15 miliardë krona ose 1,35 miliard euro në vit, raporton gazeta “The Guardian”.
Për vitin 2023, gjysma e ndihmave do të ndahen për pajisje ushtarake për Ukrainën, ndërsa pjesa tjetër për asistencë humanitare, edhe pse kjo ndarje do të ndryshojë në vitet e ardhshme.
Duke folur përmes video-lidhjes para deputetëve norvegjezë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendimi i Norvegjisë krijon një precedent për “përkrahje të qëndrueshme”, duke e quajtur atë “kontribut historik”.
Pakoja, e njoftuar më herët këtë muaj nga kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, është programi më i madh i ndihmave që Norvegjia i ka dhënë ndonjëherë një shteti të vetëm.
Shteti i pasur i Evropës Veriore, eksportues i madh i naftës, ka fituar miliarda euro nga të ardhurat shtesë nga shitja e naftës për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të karburanteve.
Të hyrat nga shitja e naftës dhe e gazit në Norvegji kanë arritur në nivele rekorde në 12 muajt e fundit për shkak të shtrenjtimit të këtyre burimeve të energjisë pas fillimit të luftës. Norvegjia e ka zëvendësuar Rusinë si furnizuesja më e madhe e Evropës me gaz natyror.
