Forcat ruse kryejnë sulme të reja me raketa në Ukrainë, raportohet për viktima
Rusia e sulmoi përsëri Ukrainën me raketa të ndryshme të enjten, duke goditur zona nga lindja në perëndim. Autoritetet ukrainase kanë thënë se një grua 79-vjeçare është vrarë dhe shtatë persona të tjerë janë lënduar nga njëri prej sulmeve.
Forcat ruse përdorën një varg të llojeve të raketave, duke hedhur 36 brenda dy orëve gjatë natës, tha komandanti i ushtrisë ukrainase, Valery Zaluzhnyy. Ai tha se bateritë për mbrojtje kundërajrore kanë rrëzuar 16 raketa – shkallë më e ulët e suksesit se gjatë disa valëve të mëparshme të sulmeve ruse.
Autoritetet ukrainase thanë se nga raketat janë goditur disa caqe në pjesët veriore, perëndimore, jugore, lindore e qendrore të vendit, raporton agjencia “Associated Press”.
Shefi i zyrës presidenciale, Andriy Yermak, tha se forcat ruse “i ndryshuan taktikat e tyre” për sulme, duke i përdorur ato që ai i përshkroi si “vëzhgim aktiv” e “caqe të rreme”.
Ai nuk dha hollësi, por forcat ruse mund të jenë duke kërkuar mënyra për ta shmangur mbrojtjen ajrore ukrainase, e cila është fuqizuar nga sistemet perëndimore të armëve dhe që kanë pasur shkallë të lartë suksesi kundër sulmeve të mëparshme ruse me raketa e dronë.
Njëra nga sulmet e kryera gjatë natës shkaktoi pasoja në njerëz dhe shkatërroi shtëpi në qytetin lindor, Pavlohrad, tha guvernatori rajonal. Serhiy Lysak tha se një grua 79-vjeçare është vrarë dhe të paktën shtatë persona të tjerë janë plagosur, përfshirë dy që më vonë janë dërguar në spital.
Guvernatori shtoi se shtatë shtëpi janë shkatërruar, 30 të tjera janë dëmtuar dhe një zjarr është shkaktuar në një objekt industrial nga njëri prej sulmeve.
Maksym Kozitskyi, guvernator rajonal në pjesën perëndimore të Ukrainës, tha se një zjarr ka shpërthyer në një objekt “kritik” të infrastrukturës në provincën Lviv. Ai nuk ofroi hollësi menjëherë për këtë rast.
