Nacionale detyron kreun e Gjilanit ta shkarkojë komisionin që u dha projekte familjarëve të zyrtares së VV-së
Dy ditë më parë, saktësisht me datën 27.03.2022 (e diel), Gazeta Nacionale raportoi për një keqmenaxhim të qëllimshëm të ndarjes së subvencioneve për kulturë.
Siç kishte mësuar Nacionale, djali e kunati i zyrtares së VV-së dhe ish-kandidates për deputete në zgjedhjet e vitit 2019, Enkelejda Arifi, kishin përfituar së bashku 7552 euro nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Gjilanit, për t'i kthyer në realitet projektet e propozuara.
Megjithatë, kjo ishte kundër rregullava, pasi kishte konflikt interesi. Anëtare e komisionit ishte vet Enkelejda Arifi, çka do të thotë se ajo do të vendose për t'u dhënë ose jo subvencione të afërmve të saj, e ku pastaj rastisi që përgjigja të jetë po.
Ndërkaq tani, dy ditë pas, ka reaguar edhe kryetari i komunës, Alban Hyseni. Ky i fundit, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" bëri të ditur se nga vlerësimi i procesit kanë hasur në parregullësi, siç shkruan ai, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvenciom të organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Më poshtë edhe postimi i plotë i para pak çasteve.
Megjithatë, të rikthehemi pak në retrospektivë, për të kuptuar më në detaje se ku qëndronte problemi.
Komuna e Gjilanit, ka emëruar komisionin që do t'i vlerësonte aplikimet për subvencione për OJQ-të për Kulturë, Rini dhe Sport.

Enkelejda Arifi, si zyrtare për Kulturë, ishte anëtarja e dytë e komisionit respektiv.
Siç edhe mund ta shihni më poshtë, në listën e fituesve figuron si individ Blend Arifi, njëherit djali i saj. Por, jo vetëm kaq. Fituesi i tetë në listë është "Trupa Artistike Muzikore".

Kryetar i kësaj OJQ-je, me një verifikim të thjeshtë në listën e OJQ-ve kosovare del të jetë Mehmetali Arifi. Për këtë të fundit, Nacionale merr vesh se është kunati i Enkelejdës, ju kujtohet këngëtarja që zakonisht i këndon Çamërisë.

Kujtojmë se këngëtarja, në zgjedhjet e 2019-ës fitoi pak më shumë se 2000 vota, me ç'rast e kishte të pamundur të siguronte ulëse në Parlamentin e Kosovës, ndërsa në garën zgjedhore konkurroi me numrin 74.
