Raportimet e mediave të huaja për zgjedhjet në Kosovë: Kurti s’pritet ta fitojë shumicën
Mediat e huaja kanë raportuar në lidhje me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen nesër, e diel, në Kosovë. Qytetarët pritet t’u drejtohen kutive të votimit, derisa mediat ndërkombëtare raportojnë se Lëvizja Vetëvendosje nuk pritet ta fitojë shumicën e nevojshme për të udhëhequr edhe një mandat e vetme.
Në një artikull të publikuar të premten, agjencia e lajmeve, Associated Press raportoi se ky do të jetë testi kyç per kryeministrin Albin Kurti.
Qysh në fillim të artikullit, agjencia e njohur e lajmeve shkruan se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit shihet si e para, por nuk pritet të fitojë shumicën e nevojshme për të qeverisur sërish e vetme, duke lënë mundësinë e hapur për dy kandidatët e tjerë, nëse ai nuk arrin të formojë kabinetin qeverisës.
“Më 9 shkurt votojmë për të ardhmen..Votojmë Vetëvendosjen!” – citohet tutje deklarata e famshme e Kurtit, transmeton Nacionale.
“Reuters”në anën tjetër, në një artikull të publikuar gjatë javës citoi dy sondazhe. Agjencia e njohur e lajmeve shkroi se dy sondazhe private të ndara me ta, kanë treguar partinë e Kurtit dhe partnerët e tyre në koalicion me rreth 40 për qind të votave, shumë më pak se 50.2 për qind sa morën në vitin 2021, transmeton Nacionale.
Përmenden mosmarrëveshjet e Kurtit me aleatët
Mediat e huaja i kanë dhënë fokus mosmarrëveshjeve të kryeministrit Albin Kurti me aleatët perëndimor të vendit.
“Reuters” raportoi gjatë për masat ndëshkuese të BE-së, duke thënë se disa shtete duan t’i heqin ato pasi nuk kanë ndryshuar politikat e Kurtit dhe kanë ndikuar vetëm te qytetarët e zakonshëm, sipas asaj që tha një diplomat i lartë dhe një zyrtar tjetër që e njeh për së afërmi situatën. Por ka kundërshtime nga vende të ndryshme, duke përfshirë Francën dhe Hungarinë.
Një zëdhënës i BE-së i përshkroi masat si "të përkohshme dhe të kthyeshme", por nuk tha se cilat projekte janë goditur. Ky theksoi se BE-ja do t'i heqë sanksionet nëse Qeveria deeskalon situatën në veri.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës... deri më tani nuk kanë qenë të favorshme për këtë qëllim” – tha ky zëdhënës.
Kurti e ka refuzuar propozimin e Bashkimit Evropian për ta krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, derisa mbrojti vendimin e tij në një fjalim gjatë fushatës:
“Ne nuk e kemi bërë këtë kundër serbëve: e kemi bërë kundër Serbisë sepse është kundër Kosovës dhe kombit tonë”.
Mes tjerash, janë përmendur deklaratat e Richard Grenell, emisarit të presidentit Donald Trump për misione speciale.
"Si republikanët dhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprime të njëanshme që destabilizojnë rajonin," - shkroi ai në X. "Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit".
“AP” po ashtu shkroi se “BE-ja ka suspenduar financimin e disa projekteve për gati dy vite tashmë”.
Po ashtu, Brukseli veçse ka vendosur kushtet për heqjen graduale të masave, të cilat ndërlidhen me hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë për deeskalimin e situatës në veri.
Sa i përket mundësisë së zgjedhjes të një qeverie të re, një zëdhënës i Komisionit Evropian i ka thënë agjencisë së lajmeve:
“BE pret që të punojë me Qeverinë e re të Kosovës për t’u përkushtuar në mënyrë konstruktive në dialogun e normalizimit me Serbinë. Kjo është qëndrore për integrimin e Kosovës dhe Serbisë”.