Raporti 6-mujor i AIP-së: Janë pranuar 544 ankesa, 431 janë përmbyllur, 113 janë në shqyrtim - NACIONALE

Raporti 6-mujor i AIP-së: Janë pranuar 544 ankesa, 431 janë përmbyllur, 113 janë në shqyrtim

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka prezantuar Raportin Gjashtëmujor të Punës për periudhën janar-qershor 2025.

Gjatë kësaj periudhe, sipas këtij raporti, AIP ka pranuar 544 ankesa, nga të cilat 431 janë përmbyllur. ndërsa 113 janë në shqyrtim.

Në fushën e qasjes në dokumente publike kjo agjenci ka trajtuar 462 ankesa.

“Në një takim të përbashkët me përfaqësues të organizatave joqeveritare, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, duke përmbushur mandatin e saj ligjor për garantimin e të drejtës për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Gjatë kësaj periudhe, janë pranuar gjithsej 544 ankesa, nga të cilat 431 janë përmbyllur ndërsa 113 janë në shqyrtim. Konkretisht, në fushën e qasjes në dokumente publike janë trajtuar 462 ankesa, ku 292 janë përfunduar dhe 170 janë ende në proces, ndërsa në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale janë pranuar 82 ankesa, prej të cilave 59 janë përfunduar dhe 23 janë në shqyrtim”, është thënë në njoftimin e AIP.

Agjencia ka realizuar edhe 196 inspektime, përfshirë 125 sipas detyrës zyrtare dhe 71 të tjera bazuar në ankesa të adresuara nga qytetarët.

“Po ashtu, me qëllim të harmonizimit të kuadrit ligjor me standardet evropiane, Agjencia ka vazhduar procesin e hartimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Institucionet e Zbatimit të Ligjit, në përputhje me Direktivën (BE) 2016/680 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit (e njohur si LED). Paralelisht, janë ofruar gjithsej 29 këshilla ligjore për institucione publike, sektorin privat dhe qytetarë, ndërkohë që Agjencia është angazhuar edhe në 20 aktivitete gjyqësore përmes paraqitjes së padive, ankesave dhe përfaqësimit në seanca gjyqësore”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme