Rakiq dhe Simiq flasin nga Zveçani për Nacionalen rreth sulmeve ndaj gazetarëve: E akuzojnë Kurtin për situatën
Po vazhdon protesta e serbëve në komunat në veri të Kosovës. Në këto protesta po marrin pjesë edhe udhëheqës të Listës Serbe. Atje po qëndron edhe gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, i cili ka biseduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe me nënkryetarin Igor Simiq.
Rakiq e Simiq kanë mohuar sulmet ndaj medieve e gazetarëve duke thënë se gazetarët janë të sigurtë, teksa vetëm dje janë raportuar dhjetëra sulme ndaj medieve kosovare.
Ata nuk kanë treguar nëse do të ndalën protestat dhe kanë akuzuar policinë, pavarësisht se kanë mbetur të lënduar rreth 30 ushtarë të KFOR-it.
Më tej, Simiq ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, duke thënë se problemi i tyre është me të dhe jo mes shqiptarëve dhe serbëve.
Më poshtë lexoni pjesë nga deklarimi i tyre, i cili më vonë do të plasohet edhe si video në Nacionale.com.
Vullneti: A keni ndonjë reagim për vendim.
Rakiq: Duhet ta pyesni Qeverinë e Kosovës
Vullneti: Qeveria po thotë që nuk do të tërhiqen. A po flisni me SHBA-në ose ambasadorin?
Simiq: Nuk kam koment!
Vullneti: Disa nga kolegët e mi janë sulmuar dhe veturat e tyre janë djegur. A jemi të sigurt këtu, si gazetarë nga Prishtina?
Simiq: Por ti je një gazetar nga Prishtina dhe je i sigurtë. Por ju e dini se çka ka ndodhur atë ditë. Qytetarët tanë jane sulmuar. I kemi mbi 50 qytetarë që jane sulmuar. Disa prej tyre janë qëlluar nga ROSU, policia ka qëlluar mbi civil pa asnjë arsye, një prej tyre është në gjendje të rëndë. Pra po ju thërras juve që të mbani paqen. Edhe një herë dua ta potencoi se ky nuk është problem mes shqiptarëve dhe serbëve është problem regjiimit të Albin Kurtit, që dëshiron të krijoj kaos, të bëjë probleme serbëve dhe shqiptarëve.
Ndryshe edhe sot protestuese serbë janë mbledhur para objekteve të komunave të veri të vendit për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.