Ministri i Jashtëm kroat gjatë vizitës në Kosovë: Kroatët të njihen si pakicë në Kushtetutën e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme, të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, ka qëndruar sot në Kosovë.
Radman, a vizituar fshatin e Janjevës në komunën e Lipjanit, lokalitet ku janë të koncentruar pakica kroate që jetojnë në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka kërkuar që kroatët të njihen si pakicë në Kushtetutën e Kosovës.
‘’Ne dëshirojmë që kroatët në Kosovë të gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzon komuniteti shqiptar në Kroaci, para së gjithash për të garantuar sigurinë personale dhe mbrojtjen e pronës, përmirësimin e infrastrukturës dhe që kroatët të njihen si pakicë në Kushtetutën e Kosovës.’’- ka deklaruar Radman.
Ai ka siguruar kroatët e Kosovës, se janë pjesë përbërëse e politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kroacisë.
‘’Kujdesi për kroatët në Kosovë është pjesë përbërëse e politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kroacisë. Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj se me institucionet dhe autoritetet e Kosovës ka një dialog të rregullt për problemet dhe pozitën e minoritetit kroat në Kosovë dhe në çdo takim e theksojmë këtë.’’- tha ministri kroat.
Kujtojmë se në Kosovë jetojnë përafërsisht 300 kroat.