Qytetarët e Kosovës me dëshirën më të madhe në Ballkan për t’u larguar nga vendi: Si u rrit shifra dy vitet e fundit?
Barometri Ballkanik 2023 i publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka publikuar tashmë raportet nga anketimi i qytetarëve në vendet e Ballkanit Perënimor. Shumë çështje janë përfshirë në pyetjet shtruar qytetarëve, derisa sa i përket Kosovës, vërehet një dëshirë e madhe për të jetuar jashtë vendit. Cila ishte përgjigja për vitin 2023 dhe si ndryshuan shifrat përgjatë katër viteve - sidomos, në dy vitet e fundit?
Para dy muajve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ishte kryelajm nëpër media për një deklaratë të tij, ku e konsideronte krejt normale largimin e qytetarëve nga vendi.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës.” – kishte deklaruar ai.
Sa është përqindja e qytetarëve që konsiderojnë largimin nga vendi?
Sipas shifrave të publikuara për vitin 2023, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shihet se qytetarët e Kosovës, nga ata që janë anketuar, e konsiderojnë më së shumti largimin nga vendi.
57 për qind e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur “PO”, kur janë pyetur se “a do të konsideronit të jetonit dhe të punoni jashtë vendit”. Ndërkaq, 38 për qind janë përgjigjur me “JO” dhe pesë për qind me “S’e di/refuzoj”.
Si ndryshuan shifrat përgjatë viteve?
Kur shohim shifrat për katër vitet e fundit sa i përket çështjes së largimit nga vendi, shihet një ndryshim i qëndrimeve të qytetarëve të Kosovës.
Shembull, në vitin 2020, 43 për qind e të anketuarve ishin përgjigjur me “PO”. Një vit më vonë, të dhënat kishin ndryshuar, kjo pasi vetëm 32 për qind e qytetarëve kishin deklaruar se mund të konsiderojnë largimin dhe punën jashtë vendit.
Por do të kalonte një vit, ku kjo përqindje do të rritej mjaft shumë. Në 2022, 59 për qind e qytetarëve janë përgjigjur me “PO”.

Çka deklaronte Kurti për ikjen e qytetarëve?
Në një intervistë të dhënë pikërisht për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kurti në mediumin “Le Figaro” ishte pyetur edhe rreth ikjes së qytetarëve.
“Por vendi sheh mijëra të rinj që largohen për çdo vit?” – e kishte pyetur gazetarja.
Përgjigja e Kurtit, ishte sa e çuditshme, aq edhe qesharake dhe përfshinte edhe ministra të tij që janë kthyer për të jetuar në Kosovë, dhe që duhet të theksohet, tani mbajnë pozita të larta shtetërore.
“Disa largohen, por disa kthehen. Dy prej ministrave të mi janë kthyer nga jashtë. Dhe unë përpiqem t’i sjellë të diplomuarit në institucione të vendit me shkollime nga vende perëndimore. Një e treat e kosovarëve nuk jetojnë brenda vendit, kontributi financiar i diasporët përfaqëson 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, dy ministra të Qeverisë Kurti që janë kthyer për të jetuar në Kosovë, janë Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes dhe Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme.
Ndërkohë, Vetëvendosje në opozitë ishte shumë e shqetësuar duke i dedikuar shumë kohë këtij fenomeni, dhe duke i bërë me faj qeveritë e kaluara.
“Është modeli i dështuar ekonomik ai që po i dëbon njerëzit.” – thuhej në komunikatën “Azili midis nesh” të publikuar në uebsajtin zyrtar të VV-së që i kushtohej pikërisht kësaj problematike.

