Qeveria ua bllokon të hyrat vetanake komunave, kryetari i Kamenicës e gjen veç një “lëshim” - NACIONALE

Qeveria ua bllokon të hyrat vetanake komunave, kryetari i Kamenicës e gjen veç një “lëshim”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama të enjten publikisht tha se Qeveria po bllokon bartjen e të hyrave vetanake nga vitet paraprake, duke kërkuar të lejojë urgjentisht bartjen e tyre. Megjithatë, kaq problem këtë situatë nuk po e sheh edhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rahimaj në një prononcim për Klan Kosova ka vlerësuar se Qeveria ka marë këto mjete në mënyrë që komunat ta bëjnë shfrytëzimin e mjeteve financiare në mënyrë më efikase.

Ai madje, ka akuzuar se komunat grumbullojnë mjete të mëdha dhe “s’i shpenzojnë apo i shpenzojnë për fushata zgjedhore”.

Megjithatë, ai ia ka gjetur veç një gabim qeverisë, apo lëshim, në krejt këtë situatë – që s’i ka njoftuar komunat me kohë.

“Të vetmin lëshim që mund ta quaj të qeverisë ka qenë mungesa e njoftimit paraprak ndaj komunave. Nëse qeveria do ta bënte paralajmërimin paraprak, atëherë komunat do ta bënin më mirë shpenzimin e mjeteve të tyre.” – tha ai.

Ndërkohë, dje Rama tha se kjo përpjekje e Qeverisë është kundërkushtetuese.

Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake. Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave. Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë”, ka shkruar Rama.

Më tej, ai madje i ka treguar edhe projektet të cilat po bllokohen nga Qeveria e Kosovës.

Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade. Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale.” - ka shkruar ai, duke shtuar se nëse këto mjete nuk do të barten shpejt, ky veprim do të konsiderohet i qëllimshëm.

Lajme të ngjashme