Ushtarët e gjeneralëve të vdekur: Qeveria rrit pagën minimale, jo pensionin e tyre
Qeveria e Kosovës është duke e shqyrtuar një projekt-ligj me anë të së cilit bëhet ndryshimi dhe plotësimi i ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionave të lartësisë së pagës minimale për disa kategori.
Projekt-ligjin i cili është në diskutim të brendshëm e të cilin e ka sigurar gazeta Nacionale, mban titullin “PROJEKTLIGJI NR. XX/2022 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMININ E LIGJEVE QË PËRCAKTOJNË SHUMËN E BENEFICIONIT NË LARTËSI TË PAGËS MINIMALE”.

Me anë të këtij projekt-ligji, Qeveria po synon që me ligj të përcaktohen benificionet për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për Personat e Verbër dhe për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.
Qeveria synon të ndryshojë ligjet që përcaktojnë beneficionet e tyre, dhe tani sipas këtij ligji nëse fuqizohet, beneficionet e tyre do të bëhen me propozim të Ministrisë së Financave dhe jo me ligjet aktuale që rregullojnë këto skema pensionale.
Qeveria ka propozuar që të ndryshojë, Neni 16A, paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141, ndryshohet me tekstin si në vijim:
“Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së”, thuhet në projekt-ligjin e siguruar nga gazeta Nacionale.
Njejtë do të veprohet edhe për Personat e Verbër dhe për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.
Ndërkohë, javëve të fundit është diskutuar në lidhje me mundësinë e rritjes së pagës minimale. Qeveria tashmë ka propozuar shumën prej 264 euro si pagë minimale, e cila është refuzuar nga Sindikatat e Sektorit Privat.
Megjithatë për kategorinë e luftës ku përfshihen veteranët e UÇK-së, kjo gjë tani do të përcaktohet me ligj të veçantë.
Një gjë e tillë, dyshohet se po bëhet për të shmangur rritjen e pensioneve të veteranëve meqenëse ligji aktual parasheh barazvlerë të pensionit të veteranit me pagën minimale.
Çka parasheh ligji aktual i Veteranëve?
Me legjislacionin në fuqi janë përcaktuar në mënyrë taksative vlerat e pensioneve mujore të veteranëve luftëtar sipas kategorive.
Sipas Ligjit Nr.05/l -141 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04/L -261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Neni 16 A, paragrafi 4, pensionet mujore janë përcaktuar si në vijim:
- Pensioni mujor i Veteranit luftëtar, sipas kategorive, është:
4.1. Kategoria e parë, dyqind e pesëdhjetë (250) euro;
4.2. Kategoria e dytë, njëqind e shtatëdhjetë (170) euro;
4.3. Kategoria e tretë, njëqind e njëzet (120) euro.
Me ndryshimet ligjore që planifikon Qeveria me draft ligjin për ndryshimin dhe plotësiminin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, shmang çdo obligim që këto benificione të kenë një prag minimal bazuar në pagën minimale, vlerë kjo që konsiderohet e domosdoshme për të mbuluar nevojat e jetesës.

Çka deklarojnë nga Organizat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së?
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK) tash e sa kohë ka kërkuar takim me kryeministrin, Albin Kurti.
Klinaku ka thënë se nuk janë injoruar kurrë më shumë se sa nga kjo qeveri.
“Vetëm në fillim për t’ia uruar detyrën dhe kurrë më s’ka pranuar [takim] edhe pse i ka pasur e-mailat e dërguara nga ne. I kemi dërguar dy kërkesa për takim me e-mail para disa muajve dhe nuk janë përgjigjur kurrë, as ‘po’ as ‘jo’”, kishte deklaruar para disa ditëve Klinaku për Nacionalen.
“Arsyet më mirë i di ai pse nuk na fton në takime. Nuk ka pritje [që do të takohemi], e-mailat i ka që disa muaj dhe s’kam çka i vazhdoj më kërkesa për takime sepse nuk do që të takohemi, po na injoron”, ka përsëritur Klinaku.
Kryetari dhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, kanë më shumë se një vit që gjenden në paraburgim në Hagë, si të dyshuar në veprën e publikimit të dosjeve të Gjykatës Speciale.
Veteranët së fundi po kërkojnë që në kuadër të rritjes së pagës minimale nga 170 në 264 euro të rritet edhe pensioni për ta.
Një gjë të tillë ata e konsiderojnë madje edhe obligim ligjor.