Iniciohet Projektligj: Qeveria më në fund vepron për të luftuar rritjen e çmimeve që po varfërojnë qytetarët - NACIONALE

Iniciohet Projektligj: Qeveria më në fund vepron për të luftuar rritjen e çmimeve që po varfërojnë qytetarët

3 javë më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës është mbledhur sot, dhe më në fund ka pranuar realitetin e çmimeve të rritura në vend (por edhe papunësisë së lartë) dhe ka ndërmarrë një veprim për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të varfëruar.

Qeveria Kurti II, sot më 20 korrik 2022, inicioi Projektligjin për Mbrojtjen e Produkteve Themelore. Është fjala pra, për produktet bazë ose esenciale, çmimet e të cilave janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

“Po përditësojmë agjendën legjislative që të harojmë rregulla që do ta mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë.” – u shpreh fillimisht kryeministri.

“Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht të këtij viti,” – vazhdoi më tej ai.

Nuk dihet nëse një çështje e tillë do të ketë ndikim në uljen e çmimeve të larta për produktet bazë, duke qenë se fjala kyçe në këtë rast është “mbrojtja e furnizimit me produktet themelore”.

Në anën tjetër, një tjetër pranim ka ndodhur gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës: papunësia e lartë.

Ky pranim u bë nga ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili ka ndarë 1.7 milonë euro për pikën 1.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike për grante për zanate

“Me qëllim të adresimit të shkallës së lartë të papunësisë në vend si dhe aftësimit profesional në zanate, do të mbështesim me grante për vetëpunësim të gjithë ata që janë të gatshëm të mësojnë aftësi të reja, për të cilat do të çertifikohen. Vlera e këtyre granteve arrin shumën deri në 3,000 euro, ku granti do të mbulojë blerjen e pajsijeve dhe themelimin e biznesit, pas përfundimit të trajnimit me sukses dhe çertifikimit,” tha ai.

Përveç kësaj, Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i ofrojë 10 për qind pagë shtesë të gjithë mantelbardhëve deri në fund të vitit për shkak të kontributit në luftën kundër Covid-19.

Gjithashtu, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar propozim-vendimi i Ministrisë së Financave për pagë shtesë 10% të pagës bazë për punonjësit shëndetësor, profesionistët shëndetësor dhe stafin mbështetës.

Kjo shtesë do të ekzekutohe në periudhën korrik-dhjetor 2022.

Ministri Murati tha se “duhet që të vazhdojë mbështetja në vlerën e 5.5 milionë eurove”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës është vetëlavdëruar gjatë gjithë vitit me shifrat ekonomike të punësimit dhe të rritjes ekonomike, ndërsa është kritikuar nga partitë opozitare për mos-veprimin në lidhje me krizën ekonomike dhe sociale që ka kapluar vendin.

Kurti nuk kishte folur në asnjë rast për rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike të qytetarëve gjatë muajit korrik të këtij viti.

Ndërkaq, Qeveria ka vendosur çmime tavan për derivate të naftës, të cilat ndikuan në zbritjen e çmimit.

Në anën tjetër, në muajin qershor është rritur kostoja e jetesës në Kosovë. Kosovarët tani paguajnë më shumë për shumicën e mallrave të konsumit ditor.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një shkallë të inflacionit që vazhdon të rritet çdo muaj tash e rreth një vit.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në qershorin që shkoi ishte 14.1%, në krahasim me muajin e njëjtë të 2021-tës.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Lajme të ngjashme