Qeveria me hap të ri: Ndahen gati 10 mijë euro për testimin e Urës së Ibrit
Hapja e Urës së Ibrit pritet që të testohet para se të hapet ajo, kurdo që bëhet realitet hapja e saj. Edhe pse Qeveria Kurti e vartësit e saj këto ditë kanë ngritur zërin për hapjen e urës, teksa paralajmërimet nga ndërkombëtarët nuk dihet nëse do të merren parasysh. Sa do të kushtojë?
Para hapjes së Urës së Ibrit, Ministria e Infrastrukturës, do të testojë fillimisht kapacitete mbajtës të kësaj ure që qarkullimi mbi të është ndalur kohë më parë.
Kësisoj, Ministri e Infrastrukturës ka shpërblyer me tender me vlerë 9 mijë e 640 euro kompaninë IPE PROING SHPK për të përcaktuar kapacitete mbajtës të urës së Ibrit.
Kontrata mban titullin “Përcaktimi i kapacitetit mbajtëse të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.
Përzgjedhja e kompanisë fitues është bërë me 1 gusht 2024.
Vlera e parashikuar e kontratë ka qenë 9 mijë e 900 euro, ndërsa tenderi është dhënë për 9 mijë e 640 euro dhe kritet për dhënien e tenderit ka qenë çmim më i ulët.

Sipas tenderit, kompania duhet të bëjë “Analiza e statike dhe dinamike e strukturës, me të gjitha elementet strukturore si themelet shtyllat, trarët, pllakat me karakteristika e tyre gjeometrikë dhe materiale, të marra nga hulumtimet në teren dhe projekti ekzistues, nën veprimin e ngarkesës provuese ekuivalente me atë testuese duke përcaktuar reagimin statik dhe sizmikë të strukturë së urës si: Matje e uljeve dhe deformimeve këndin e rrotullimit, nën veprimin e ngarkesa statike provuese, Matjet e akselerimit, uljeve, këndin rrotullimit, frekuencave vertikal, si dhe përcaktimi i koeficientit dinamik nën veprimin e ngarkesave dinamike (automjete në lëvizje me shpejtësi deri në 40 km/h).”
Këto punë duhet të llogariten dhe të paguhen komplet (kuturu).
Ndërkaq, nuk dihet se kur do të përfundohet kjo punë pasi te rubrika fillimi dhe fundi që nënkupton përfundimin e punës është lënë bosh.

Qëndrimet për Urën e Ibrit
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministrit Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit “duhet të hapet”, ndërsa Perëndimi (QUINT-i dhe KFOR-i) janë shprehur kundër kësaj.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi” – kanë thënë nga Qeveria e Kosovës.
Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas takimit që pati javën e kaluar me Kurtin, ka thënë se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.
Ndryshe, sot gjatë ditës te Ura e Ibrit janë parë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me zëvendësminsitrin e Infrastrukturës, Hyseni Durmishin.