Ura e Ibrit “moll sherri” mes Qeverisë Kurti dhe Perëndimit, çka mund të ndodhë?
Ura e Ibrit është rikthyer si temë e rëndësishme politike. Tashmë qëndrimet e aktorëve të përfshirë janë të qartë. Në njërën anë, Qeveri e Kosovës, e udhëhequr nga ana e kryeministrit Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit “duhet të hapet”, ndërsa Perëndimi (QUINT-i plus NATO-ja) kanë treguar se është refuzues ndaj një ideje të tillë. Çfarë skenar mund të materializohen në terren pas këtyre dy qëndrimeve të kundërta?
Burim Ramadani, ekspert i sigurisë dhe ish-kryeinspektor i AKI-së, shkroi se Kurti po dështon të bindë NATO-n rreth çështjes së hapjes së Urës së Ibrit. Në profilin e tij në “Facebook”, Ramadani shkroi për mundësinë e konfrontimit direkt mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.
“Nuk besoj kurrë që Kryeministri Kurti do të vendos për konfrontim direkt mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.
Më përpara e pranon dështimin, sesa konfrontimin!” – ka shkruar që në hyrje Ramadani.
Në shkrimin e tij, Ramadani renditi disa dështime të Kurtit.
“1. Ai po dështon ta bind NATO-n që Ura të hapet.
2. Ai po dështon që t’ia mbajë gojën mbyllur partizanëve të vet të padijshëm dhe eksperimental në Qeveri, parti e institucione tjera, të cilët kushtimisht kapën daullet për të na dhënë lajmin që “Ura po hapet pa dilema fare”!
3. Ai po dështon që të bëjë dallimin midis:
3.1 qëndrimeve diplomatike të shteteve partnere në raporte biletare; dhe
3.2 udhëzimeve ushtarake të NATO-s për KFOR-in në çështje që ata i vleresojnë me ndikim ne siguri dhe ambient paqësor!” – ka shkruar ai.
Ndërsa analisti tjetër i sigurisë, Drizan Shala vlerësoi se situata në mes pushtetit dhe faktorit ndërkombëtar rreth Urës së Ibrit po keqësohen, duke shtuar se Serbia fiton nga ky konfrontim.
Tutje, Shala ka renditur disa pika si skenarë të mundshëm rreth Urës së Ibrit.
“a. Konfrontimi ushtarak/policor KFOR/Policia e Kosovës, pra reaguesi i tretë kundër reaguesit të parë të sigurisë do të ballafaqoheshin mbi urë dhe këtu fiton Serbia!
b. KFOR do të fuqizonte në praktikë Rezolutën 1244 në atë hapësirë, duke i mbyllur edhe rrugët tjera që të dërgojnë në veri – shpallje e zonës ndërkombëtare para 2008 dhe neutralizim të shtetësisë sonë – fiton Serbia.
c. Bllokimi i mekanizmit të sigurisë në veri dhe ndryshimi i forcave në terren nga Policia e Kosoves në KFOR (shtim të trupave ose më mirë katërfishim të tyre) do legjitimonte narativën serbe dhe rikthimin e UNMIK-ut dhe këtu fiton Serbia.
d. Mbajtja statusit ndërkombetar në atë zonë, Serbia nuk do të kishte pasur nevojë të përdorë trupat e saja kriminale në Serbi, paraushtarake e ushtarake për ndonjë veprim siç ishte në shtator 2023, sepse fitorja do të përcaktonte në arenën ndërkombëtare” – ka thënë Shala.
Çfarë thanë QUINT-i e Qeveria Kurti?
Pas takimit me Kurtin, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë qartësisht se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.
"Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara .... u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht" – u shpreh dje Hovenier pas takimit me Kurtin.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Kurti, thotë se Ura e Ibrit duhet të hapet. Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në takim Kurti ua ka paraqitur ndërkombëtarëve planin e tij për hapjen e Urës së Ibrit.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.