Qeveria Kurti zbythet për veriun bash në ditën kur u publikua përgjimi i Kusari-Lilës - NACIONALE

Qeveria Kurti zbythet për veriun bash në ditën kur u publikua përgjimi i Kusari-Lilës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot gazeta Nacionale ka botuar pjesën e parë të përgjimeve, ku përfshihet Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, e cila gjatë një bisede me Slavko Simiqin, deputet i Listës Serbe, e pranon se ka biseduar me Milan Radoiçiqin, nënkryetar i Listës Serbe i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i penalizuar si “non-grata” nga ana e ShBA-së. Ndërsa, pikërisht në këtë ditë, Qeveria Kurti ka nisur zmbrapsjen nga veriu, duke u pajtuar me BE-në për hapat e parë të shtensionimit. Çka ndodhi?

Pak pas mesditës, Nacionale publikoi një video, ku ishte edhe një pjesë e përgjimeve të Kusari-Lilas, e cila e pranoi se ka biseduar me Radoiçiqin, ndonëse tentoi ta relativizojë, duke thënë se ka biseduar “2-3 minuta”.

Slavko: "Ti e din që unë të kam lidhë me Millanin, keni bisedu ka 30-40 minuta për me gjetë ndonjë zgjidhje"

Mimoza: "Dy-tre minuta."

Slavko: "Një herë keni bisedu gjatë, ku keni bisedu për energjinë në veri, a e mban mend."

Slavko: “Kemi provu me gjetë zgjedhje edhe me ndërtu një raporto partnerësh dhe çfarë ndodhi, njeri që marrim direkt instruksione, që e ka një diapazon të gjanë për secilin prej nesh, pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë... disa vendime që i marrim bashkë me të, nuk mundet me ndiku as Vuçiqi.”

Bash në këtë ditë kur plasi skandali i përgjimit, pushteti aktual zgjodhi të zbutej në lidhje me veriun e Kosovës. Miroslav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një cicërime në Tëitter, tregoi se janë pajtuar bashkë me Besnik Bislimin në lidhje me hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

“Sot në Bratislavë zhvillova diskutime intenzive dypalëshe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e 27 vendeve të BE-së të 3 qershorit dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi.” – shkroi Lajçak.

Nuk dihet nëse një gjë e tillë është thjesht rastësi apo tendencë për të shpërqëndruar vëmendjen nga afera e përgjimit, ku Kusari koordinohej me Simiqin dhe Radoiçiqin. Sidoqoftë, deklarata e 27 vendeve të BE-së për çështjen e shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, mes të tjerash, kërkonte edhe tërheqjen e njësive speciale nga komunat në veri të vendit. Përveç kësaj, 27 vendet e BE-së theksonin nevojën për zgjedhje të reja, duke kërkuar që ato të shpalleshin sa më shpejt.

Për këtë temë ka folur edhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, i cili ka treguar se për çka janë marrë vesh me Lajçakun.

"U takova me EUSR Miroslav Lajçak për të diskutuar hapat e ardhshëm për zbatimin e plotë dhe të drejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. U dakorduam për hapat e nevojshëm për të siguruar uljen e përshkallëzimit efektiv & të përcaktuar me ligj, fokusimin në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit." - shkroi ai në Twitter.

Ndryshe, për përgjimet ka folur edhe Kusari-Lila, e cila, në fakt, i ka hyri një ndërmarrjeje të mohimit të komunikimit me Radoiçiqin. Kusari tentoi të relativizonte këtë çështje, e cila nga profesor Milazim Krasniqi u cilësua tradhti kombëtare, duke thënë se nuk e ka numrin e Radoiçiqit, të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit dhe për rastin Brezovica.

“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues institucionalë këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre. Ata e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin kur ai do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person.” – vazhdoi tutje ajo.

Lajme të ngjashme