Qeveria Kurti zbythet edhe prej një zotimi të madh: Në këtë fazë s`do të ketë shërbim të detyrueshëm ushtarak
Qeveria e Kosovës është zbythur nga zotimi për shërbim të detyrueshëm ushtarak. Ndonëse kryeministri Albin Kurti zëshëm e kishte premtuar një gjë të tillë para zgjedhje, me të marrë mandatin e ka harruar këtë çështje.
Zotimin për shërbim ushtarak të detyrueshëm Kurti e kishte bërë në Kuvend, ditën që kishte marrë mandatin në Qeverinë Kurti 1, dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit.
Tani kur po numërohen muajit e fundit të këtij mandati, Qeveria Kurti e ka pranuar se një zotim i tillë nuk mund të realizohet, raporton Nacionale.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mbrëmë e ka konfirmuar se në këtë fazë nuk do të ketë shërbim të detyrueshëm ushtarak.
Në një intervistë në “Rubikon”, në Klan Kosova, ai ka treguar pse kjo gjë nuk mund të bëhet në këtë mandat.
“Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse është element i përafërt me idenë e shërbimit të detyrueshëm, është për t’u theksuar që shërbimi i detyrueshëm nuk ka qenë qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur një qëllim dhe që është ndërtimi i një sistemi mbrojtës të aftë për të mbrojtur territorin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Maqedonci.
Duke e shpjeguar konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, ai ka thënë se në këtë koncept mund të marrin pjesë edhe qytetarët.
“Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse është shërbim vullnetar dhe dëshira e shumicës së qytetarëve të Kosovës është të kontribuojnë për vendin tonë. Në këtë fazë nuk do të ketë (shërbim të detyrueshëm ushtarak). Aktualisht prioritet është përmbushja e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, plan i dakorduar edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe inicimi, funksionalizimi i mbrojtjes gjithëpërfshirëse si koncept i ri për mbrojtje dhe siguri, pra këto dy fusha janë fusha në të cilat do të fokusohemi në dy vitet në vijim”, është shprehur Maqedonci.
Çka kishte thënë Kurti?
Kryeministri Albinb Kurti si opozitar vazhdimisht ka qenë ithtar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ndonëse për një gjë të tillë ishte zotuar shpesh, ai kurrë nuk kishte dhënë detaje për këtë proces.
Një zotim të tillë ai e kishte bërë edhe pak para se të merrte për herë të parë mandatin e kryeministrit.
Derisa prezantonte programin e qeverisë në seancës e 3 shkurtit të vitit 2020, para deputetëve ai ishte zotuar se ky proces do të bëhet sipas stadardeve të NATO-s.
“Me qeverisjen tonë shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-së. Do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tre mujore i cili do t’i ndihmoj FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, kishte thënë Kurti, në seancën 3 shkurt të vitit 2020.
Një zotim të tillë, ai e kishte përsëritur edhe në fushën e zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Në emisionin “DebatPernime”, Kurti kishte thënë se shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të jetë 6 mujor, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit.
“Do ta bëjmë ushtrinë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë) përndryshe do të kenë shërbim civil. Kemi kohë në 2021 ta planifikojmë buxhetin për vitin tjetër, por do ta rishikojmë buxhetin aktual menjëherë dhe do ta sjellim në Kuvend në legjislaturën e ardhshme”, kishte hënë Kurti.
Pas marrjes se pushteti duket se Kurti e ka harruar këtë pretim. Ai më asnjëherë nuk është marrë seriozisht me këtë çështje.