Qeveria Kurti i mbron vendimet e kundërligjshme, s`i respekton vendimet e institucioneve të pavarura
Qeveria Kurti ka vendosur top prioritet sundimin e rendit dhe ligjit, por në praktikë nuk po vepron në këtë mënyrë. Deri me tani shumë vendime të institucioneve të pavarura nuk po i respekton, ani pse e ka për obligim ta bëj një gjë të tillë.
Janë bërë 8 muaj që qeveria nuk po e respekton vendimin Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për zgjedhjen e Kryeinspektorit të Punës. Ndonëse KPMShCK-ja më 4 korrik të vitit të kaluar ka konstatuar se Kryeinspektori Punës ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshëm, Qeveria ka vendosur që në këtë pozitë ta mbajë Hekuran Nikçin. Ky i fundit edhe sot e kësaj dite vazhdon ta ushtroi detyrën në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Me qëllim të kthimit të ligjshmërisë në Shërbimin Civil të Kosovës, Këshilli i ka rekomanduar kryeministrit që brenda afatit prej 15 ditësh të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e vendimit të datës 25.05.2022.
Për moszbatimin e këtij vendimi nga ana e qeverisë, këshilli nuk kishte qëndruar duarkryq. Më 3 tetor të vitit 2020, këshilli i kishte shkruar letër për këtë çështje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në letër, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e njofton Konjufcën në detaje se si Qeveria dhe Ministria e Financave nuk po e anulojnë vendimin për Kryeinspektorin.
Në letrën që e ka prezantuar gazeta Nacionale, Këshilli i kërkon Konjufcës që të ndërhyjë në këtë situatë, për të mundësuar kthimin e ligjshmërisë dhe zbatimin e rekomandimeve.
“Andaj, duke u bazuar në autorizimet tuaja kushtetuese, kërkojmë mbështetjen tuaj për kthimin e ligjshmërisë në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, me kërkesën që t’i drejtoheni autoritetit përgjegjës për ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të zbatimit të Vendimit Nr.50/2022 të datës 14.07.2022 të Këshillit, siç përcaktohet me nenin 23 paragrafi të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në letrën që kryetari i Këshillit ia ka përcjell Glauk Konjufcës.
Në raportin që ka siguruar gazeta Nacionale, KPMShCK ka rekomanduar se procesi i zgjedhjes se Kryeinspektorit të punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi
“1. Aprovohet raporti i Monitorimit të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transferve. 2. Obligohet Kryeministri i Republikës së Kosovës, dhe Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferve, që në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, të bëjë zbatimin e tij, sipas rekoamdimeve të dhënë në raport", është thënë në raportin e KPMShCK-së.
Këshilli ka konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Qeveria nuk e zbaton as vendimin për Fadil Kodrën
Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk e ka zbatuar vendimin e Këshilli për Ilaz Kodrën.
Sikurse kryeministri Albin Kurti ka vepruar edhe ministri e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Më 17 janar të këtij viti, Këshilli ka rrëzuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra.
Bazuar në ankesën që Kodra kishte bërë, Këshilli kishte vendosur që të anulohet edhe vendimin i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svçla, për suspendimin e Kodrës nga kjo pozitë.
Në vendimin që kishte siguruar gazeta Nacionale, gjithashtu thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme obligohet që ankuesin Fadil Kodra ta sistemonte Kodrën në një pozitë të mesme drejtuese.
“Obligohet Ministria e Punëve të Brendshme, që ankuesit Fadil Kodra t'ia kompensoj të gjitha pagat e pa realizuara nga dita e shkarkimit me datë 14.10.2022 deri në ditën e zbatimit të këtij vendimi, ndërsa Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë obligohet që në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi të emëroj ankuesin në një pozitë të mesme drejtuese apo profesionale në kuadër të Shërbimit Civil, të gjitha këto brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi” është thënë në piken 3 të vendit të këshillit.
Nga marrja e këtij vendimi kanë kaluar gatu dy muaj dhe MPB-ja ende nuk e ka sistemuar Kodrën në ndonjë pozitë.
Dënimi i Muratit me përgjysmim të pagës
As Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka respektuar vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrjes të Shërbimit Civil të Kosovës. Meqenëse ministri Murati nuk kishte respektuar vendimin e KPMShCK-së për anulimin e konkursit për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, më 3 tetor të vitit të kaluar, KPMShCK ka marrë vendim për t`i ndaluar pagën për 50% ministrit Murati.
Nga nëntorit i muajit të kaluar, Murati, që është paguhet 1034 euro në muaj, ka marrë vetëm pak mbi 500 euro, pasi që nuk respektoi vendimin e një instance të pavarur.
“Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës obligohet qe te beje ndalesën e 50% te pagës mujore per ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, deri në zbatimin e Vendimit Nr.50 /2022 të datës 14.07.2022, gjegjësisht deri ne kthimin e ligjshmerise ne Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e KPMShCK-së.
Ndryshe nga Murati, Kurti dhe Sveçla, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvall ka respektuar vendimet e këshillit, që ia kishin rrëzuar disa konkurse.

