Qeveria Kurti e vendosur të mos përfshihet në rrjetin amerikan të gazit, kjo është letra që ia çuan Ambasadës së ShBA-së - NACIONALE

Qeveria Kurti e vendosur të mos përfshihet në rrjetin amerikan të gazit, kjo është letra që ia çuan Ambasadës së ShBA-së

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara po promovojnë më të madhe përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit, por Qeveria e Albin Kurtit po e refuzon mundësinë, duke i paraqitur madje ShBA-së një alternativë që fokusohet në shfrytëzimin e rezervave vendore të qymyrit.

Në një letër drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të siguruar nga KOHA, Ministria e Ekonomisë ka shprehur interes për bashkëpunim në iniciativa që lidhen me teknologjitë e gazifikimit të linjitit, duke kërkuar mbështetje profesionale dhe mundësi investimi nga partnerët amerikanë.

Dokumenti, i dërguar në prill nga ministrja në detyrë Artane Rizvanolli tek e ngarkuara me punë e SHBA-së, Anu Prattipati, e njofton të ngarkuarën me punë të ShBA-së, Anu Prattipati, se plani i Qeverisë mbështetet "në burimet e brendshme", duke iu shmangur integrimit të rrjetit energjetik me aleatët.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) historikisht ka operuar një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi gjatë viteve ‘70 dhe fillimit të viteve ‘80, e ngjashme me Fabrikën e Karburanteve Sintetike Great Plains në Dakotën e Veriut.

Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së, duke e rreshtuar potencialisht këtë iniciativë brenda fushëveprimit të bashkëpunimeve të mëparshme të suksesshme midis Ministrisë sonë dhe Aktivitetit të Kosovës për Qëndrueshmërinë e Energjisë”, citohet të jetë shkruar aty.

Në një op-ed të publikuar së fundi, e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka paralajmëruar se Kosova po përballet me një problem strukturor në sektorin e energjisë.

Në këtë kontekst, diplomatja amerikane ka argumentuar se Kosova duhet t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror që janë planifikuar në Ballkan. Sipas saj, GNL-ja amerikane do ta diversifikonte furnizimin energjetik të Kosovës, do t’i plotësonte burimet vendore dhe do ta forconte partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së.

Prattipati e ka lidhur energjinë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, duke theksuar se diversifikimi përmes gazit natyror është i domosdoshëm për një të ardhme më të sigurt.

“Kosova duhet të lëvizë shpejt për ta ndjekur këtë partneritet, sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të marrë kohë.”

Sipas Prattipatit, eksportet amerikane të GNL-së pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të kalojnë përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Ajo ka përmendur edhe mundësinë që Kosova të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL-së në Alexandroupolis të Greqisë me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

Aty thuhet më tej se lidhja me një projekt tashmë të planifikuar do ta shkurtonte afatin kohor dhe do t’i ulte kostot për Kosovën. Prattipati ka theksuar gjithashtu se Qeveria e ShBA-së ka mekanizma financimi për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.

Por paralajmërimi kryesor i saj lidhet me kohën. “Dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet.”

“Vonesa në këtë vendim rrezikon që furnizimet amerikane me GNL të zotohen diku tjetër dhe mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm të Ballkanit Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.”

Në fund, Prattipati e ka paraqitur vendimin si zgjedhje strategjike për Kosovën, duke e lidhur edhe me prioritetin e administratës Trump për uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i bashkohet një partneriteti afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së, për ta siguruar të ardhmen e saj energjetike.”

Lajme të ngjashme