Qesh mirë ai që qesh i fundit: Edi Rama duket se po shpall fitoren ndaj eksponentëve të Kurtit pas ‘ndodhisë’ në Bruksel
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishe shënjestër e sulmeve të shumta për shkak të komenteve të tij për veriun, dialogun e Asociacionin. Por, gjërat po ndryshojnë në 24-orët e fundit dhe ai po bëhet ngadalë nga ‘zero’ në ‘hero’ të pashmangshëm të situatës.
Rama nuk është se e ka rrudhur gojën e tij ndonjëherë, madje edhe kur bëhej fjalë për tema shumë të ndjeshme. Dhe kjo linte shumë përshtypje në Kosovë, marrë parasysh fjalët përgjithësuese ose fare munguese të Qeverisë së Kosovës e akuzuar nga shumë e shumë akterë politikë e medialë si jotransparente. Rama fliste e fliste, derisa Kurti heshte e heshte. Kësisoji, Rama u bë protagonist i një rrëfimi që s’e kishte nisur e as s’mund ta bitiste. Por, që megjithatë e dinte se si bitisej.
24-orëshi i fundit na bëri të ditur se kryeministri i Shqipërisë dinte diçka më shumë se njerëzit që e kritikonin e sulmonin e linçonin.
Gjatë ditës së djeshme, derisa kryeministri Albin Kurti – me gjithë kabinet – po rrinin gojëkyçur derisa loja në dialog luhej, kryeministri i Shqipërisë e dha lajmin se kishim pasur përparim drejt Asociacionit.
“Kjo është një pikë vërtetë kyçe.” – tha ai, derisa e përgëzoj kryeministrin që e kishte pranuar propozimin e BE-së. Pra, po e përgëzonte. Nuk po e kritikonte. Pse? Sepse ky ishte qëndrimi i tij prej fillimit. Ai nuk mund të shmangej. Ndërsa populli që e kishte votuar Kurtin që ta shmangte Asociacionin – thënë popullorçe – po këqyrte seri.
Rama si duket e ndjeu të domosdoshme që të shpallte fitoren e tij ndaj gjithë atyre që iu vërsulën ashpër në momente të rënda për t’i lënë etiketa shumë të këqija si pro-serb e vëlla i Vuçiqit. Por, njëkohshëm, ai po e jepte edhe idenë për secilin kosovar se si duhej të ishte një kryeministër: të fliste hapur, të mos i binte rrotull por t’i thoshte troç ato që i mendonte, dhe të mos shpërfillte qytetarët e tij.
Sot, kryeministri i Shqipërisë shkroi përsëri. Dhe përsëri në mënyrë që tingëllon triumfale, ngadhënjimtare..
Ai e përdori një fjalë të urtë popullore për të thënë “më mirë vonë se sa kurrë”. Por, që ishte “më mirë” ai s’kishte diskutim. E kështu, s’besonin njerëzit që tashmë duhet që të pozicionohen në anën e tij. “Më mirë vonë se kurrë” mund të përkthehet edhe si “qesh më mirë ai që qesh i fundit”. Por, s’po e përkthejmë ashtu nga fjalori shqip-shqip.
“Nuk mund ta fsheh kënaqësinë time që udhëheqja e Kosovës më në fund bëri gjënë e duhur në takimin e djeshëm të Brukselit!” – tha ai. Por, s’po mund ta fshehte as ngadhënjimin e tij të madh ndaj Albin Kurtit, eksponentët politikë të të cilit e kishin sulmuar vazhdimisht gjatë javëve dhe muajve të kaluar për propozimet e tij.
“Mjaft më duke parë gishtin teksa gishti tregon hënën,” – tha tutje Edi Rama në fjalët e fundit. “Bëni paqe paj Zotin dhe le të shkojmë përpara. Të gjithë së bashku!” – ishin fjalët tjera.
Kujtojmë që raportet e kryeministrit Edi Rama me kryeministrin Albin Kurti nuk kishin qenë të mira në tri vitet e fundit. Megjithatë, ato u krisën më së shumti në qershor kur kryeministri Kurti refuzoi një takim vetëm për vetëm me Ramën para se të bëheshin masat ndëshkuese të BE-së. Kjo e kishte pasuar edhe anulimin e mbledhjes së përbashkët të Qeverive.

