Qemajli 'shpall' Pavarësinë: Pas lirimit nga akuzat për korrupsion, akuzon PDK-në se provoi eliminimin e tij politik - NACIONALE

Qemajli 'shpall' Pavarësinë: Pas lirimit nga akuzat për korrupsion, akuzon PDK-në se provoi eliminimin e tij politik

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Aktakuza ishte ngritur në shtator të vitit 2016. E besoni ose jo, vendimi përfundimtar u dha sot pas gati 6 vjetësh, në rastin ku u akuzua ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa bashkë me 38 të tjerë.

Mustafa dhe 38 të tjerët u liruan nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, manipulim me tenderë, e vepra të tjera penale.

Menjëherë pas përfundimit të seancës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa ka qenë i ashpër me sistemin prokurorial. Ka thënë se ky sistem është i ndikuar, dhe madje në prokurori sipas Mustafës, ka edhe krim të organizuar.

Atje është krimi i organizuar, nuk ishte tek na në këtë grup prej 39 vetave, por është brenda sistemit të drejtësisë. Aludoj te prokuroria në të dy nivelet edhe në Gjilan edhe te Prokuroria Speciale. Ai ka qenë komplet një krim i organizuar, i urdhëruar politikisht, i strukturuar mirë deri te hetuesit policorë. Me qëllim ka nisë krejt kjo maskaradë, për linçimin tim politik dhe të të gjithë atyre që kanë qenë shërbyes më të mirë në strukturë të komunës për periudhë të gjatë. Kanë synuar që të gjuhet nga rreshti Qemajl Mustafa. Të mos mund të kthehet në arenën politike”, ka thënë Mustafa për gazetën Nacionale.

Mustafa e ka akuzuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës për gjithë këtë proces gjyqësor. Madje ka thënë, se urdhri kishte ardhur nga lart, nga kryesia e partisë.

“Në rastin e Qemajl Mustafës kemi të bëjmë me urdhër politik që ka ardhur nga kreu, maja, nuk dyshoj edhe brenda subjektit tim politik, dhe ka zbritur nëpërmjet një strukture prej kreut deri te prokurorët e caktuar, e hetuesit në polici. Krejt kjo për me mbajtë lidhur Qemajl Mustafën dhe 38 të tjerët, dhe për me na ngrehë zvarrë deri sa të na bëjnë të pavlefshëm. Kjo strukturë e organizuar e cila u ka shpallë luftë individëve dhe grupimeve të cakutara që kanë punuar mirë në Kosovë, nuk ndalet te kufijtë partiakë. Kjo strukturë i kalon kufijtë e partisë. Ka nga të gjitha partitë. Janë përkujdesë me eliminu njerëz gjatë rrugës”, tha Qemajl Mustafa për Nacionalen.

Ai i përshkroi shkurtimisht edhe 6 vitet e kaluara me drejtësinë.

Sorollatje poshtë e lartë, qëllim ka qenë frikësimi i njerëzve, afaristëve, qëllim ka qenë eliminimi. Dhe e patë sa parregullsi ka pasur deri te marrja e vendimit për nisjen e hetimeve. Jemi hetuar në 4 vjet e gjysmë pa vendim. Jemi mbajtur peng, ka qenë dashtë ky proces me u nisë më herët, aktakuza u ngrit në vitin 2016, më së largu për 2 vjet ka qenë dashtë me përfundu”, theksoi Qemajl Mustafa.

Qemajl Mustafa si ish-kryetar i Gjilanit bashkë me 38 persona të tjerë janë liruar nga akuzat për korrupsion e manipulim me tender. Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, provat e nxjerra, respektivisht përgjimet e nxjerra në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Qarkut, ishin nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se mungonte kërkesa e prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për masat e fshehta të përgjimit.

Për çfarë akuzohej Mustafa dhe të tjerët?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazmi Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish-kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Raporti nga gazetari i Nacionales: Dardan Ukaj

Lajme të ngjashme