Qe qysh ta përcakton Serbia fituesin e zgjedhjeve në Kosovë - NACIONALE

Qe qysh ta përcakton Serbia fituesin e zgjedhjeve në Kosovë

1 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Një pyetje e kam për TY, por mos u ngut me sha, para se me e dëgju pyetjen e para se me dëgju përgjigjen;

Nëse ti do të ishe Kryeministër apo President i Kosovës, e në Serbi do të kishte zgjedhje…

Po e zëmë se në ato zgjedhje në Serbi, në garën për kryeministër, janë katër kandidatë, por ty si lider i Kosovës, të shkon për shtati veç njëri prej tyre edhe ke qejf ai me u zgjedhe në krye të shtetit serb.

Vazhdojmë edhe pak me këtë test, a mandej ju logjikoni:

Pra, dihet cilat janë raportet e shqiptarëve dhe serbëve, apo?

Serbët e urrejnë secilin serb që e duan shqiptarët, kurse shqiptarët e urrejnë secilin shqiptar që e duan serbët. A është kështu? Këtë bile pranojeni.

Pra, duke e ditë këtë, ti si kryeministër apo si president i Kosovës, çfarë strategjie do të ndiqje kur do të doje të përziheshe në zgjedhjet në Serbi?

A do dilje në media, me thënë: “I lus serbët që ta votojnë kandidatin tim të preferuar sepse po më konvenon?”

A mendoni që kështu i kishe ndihmu atij? A mendon që serbët do thonin: eh OK, pasi po i pëlqen këtij kryeministri shqiptar, po shkojmë e po e votojmë edhe po e zgjedhim?

Apo ndoshta do të ishte aq i menur, sa do ta bëje saktësisht të kundërtën.

Atë që ty do të konvenonte më së shumti me qenë udhëheqës i Serbisë, do ta shaje më së shumti, sepse do ta dije që radikalët ose militantët në Serbi do t’i merrnin deklaratat tuaja, do t’i shpërndanin nëpër rrjete sociale edhe do t’ju thonin serbëve: “a po e shihniii kujt po i tutet më së shumti kryeministri i Kosovës”, do të thonin: “a po e shihni cilin kandidat po e urrejnë shqiptarët”.

Vështirë me e thënë, ama të vërtetën duhet ta themi. Ne shqiptarëve të Kosovës, për me arritë deri te pavarësia prej Serbisë, më së shumti na ka ndihmuar dhe konvenuar Sllobodan Millosheviqi.

Gjithashtu, gjatë gjithë viteve të 90’ta, e kemi sha më së shumti. Serbët e donin atë (Millosheviqin) më se shumti sepse shqiptarët nuk e donin.

Nuk po them unë që Slloba ka qenë shpiun i shqiptarëve, ose që ka punuar me qëllim për interesa të shqiptarëve. Po them që çka bënte Sllobodan Millosheviqi me ne, qysh na trajtonte neve, qysh e trajtonte bashkësinë ndërkombëtare, ajo çonte ujë në mullirin tonë.

A po?

Pranojeni këtë sepse është matematikë shumë e thjeshtë.

Bashkësia ndërkombëtare i thoshte Sllobodan Millosheviqit: ‘ua kthe shqiptarëve autonominë, lejoi të dalin në zgjedhje, hiqi njësitë speciale dhe ushtrinë prej Kosovës”. Kurse Slloba thoshte: “Kam me ua dhënë shqiptarëve një autonomi të fuqishme kulturore”. Pra, thoshte kam me i lënë shqiptarët me këndu shqip dhe me e kërcy vallen e Shotës.

Kohë pas kohe, Millosheviqi dilte në TV dhe na u drejtojkë ëmbël e butë, njmëend e kam, në RTS, deklaronte: ‘…të dashur bashkëqytetarë shqiptarë’.

Ndoshta nuk ka nevojë me tregu që Slloba i kishte gjetë edhe disa shqiptarë në Kosovë, edhe i kishte vendosur nëpër pozita të larta. Kur shkonin ndërkombëtarët me i thënë: “jepju të drejta shqiptarëve”, ai iu thoshte: “…krejt i kanë more. Qe ku është Rrahman Morina e disa të tjerë”.

Por, po kthehem edhe një herë aty ku e fillova. Rugova e shante Millosheviqin. UÇK e shante. Ne krejt e shanim Sllobën, se na rrihte e na vriste, por strategjikisht, në afatgjatë, na konvenonte Slloba.

E denim se po të ishte dikush tjetër në vend të tij, u çlironim ‘hamamin’ prej Serbisë. E vërtetë: sa të duash dhimbje, sa të duash vuajtje, ama tinëz, në mënyrë sekrete kishim dëshirë kur serbët e zgjidhnin atë.

Çka ndodhi në fund?

Serbinë e bombarduan. Kosova u çlirua dhe u shpall shtet i pavarur. E njohën më shumë se 100 shtete demokratike e të fuqishme në botë. Mirëpo serbët, kurrë nuk e kanë pa Sllobodan Millosheviqin si tradhtar e as si udhëheqës të tyre, që strategjikisht ka punuar për interes të shqiptarëve.

Nesër me u çu prej vorri Kasapi i Ballkanit, serbët prapë e zgjedhin President sepse – në mes tjerash – thonë ‘tranohen shqiptarët’.

Në Ballkan kryesisht votojmë udhëheqës shtetesh që ne mendojnë se fqinjët tonë, që njëkohësisht janë edhe armiqtë tonë, ia kanë inat më së shumti.

Këto janë dinamika dhe algoritma të çuditshme, që fatkeqësisht, pjesa e pa ditur e popullatës nuk i percepton ose nuk i nuhatë.

Pra, nëse unë do të isha kryeministër i Kosovës, para zgjedhjeve në Serbi, më së shumti do ta shaja kandidatin serb për President, që do të doja të zgjedhej.

Mundësisht, do ta piketoja kandidatin më të egër prej serbëve. Do ta dija që kandidati i tyre më i egër ose që duket i tillë, e thyen kokën e vetë diku me Amerikën apo me Evropën, qys e ka pas thy edhe Slloba.

Pse po mendoni se shteti serb, presidenti serb, inteligjenca serbe, sot nuk e bën saktësisht gjënë e njëjtë?

Pse po mendoni se ata flasin sinqerisht, kur tregojnë se cili udhëheqës shqiptar iu konvenon e cili jo?

Pse po mendoni se ata nuk e dinë se deklaratat e tyre përkthehen në shqip dhe bëhen ‘share’ prej militantëve, e njerëzit votojnë saktësisht nisur nga ky parim: Hajde e votojmë dikë.

Sevdai Radogoshi, i njohur si ‘Qumili’, e ka shpjegu më së miri këtë.

Ka qenë diku mysafir në një emision dhe moderatori e pyet se çka mendon për Albin Kurtin. Tha: “shumë e du”.

I tha moderatori se pse e do. Sevdai Radogoshi ia kthen: “veç që ia ka inati Vuçiqi”.

Një pjesë bukur e madhe e njerëzve bien në këtë kurth. Kurse deri në ditën e zgjedjeve, Vuçiqi me krejt aparatin e tij të propagandës do ta intensifikojë sulmin ndaj Albin Kurtit, sepse ai e di që numri i Qumilave në Kosovë është tepër i madh.

Numri i njerëzve që votën e kanë reagim, e jo analizë personale, është tepër i madh.

Kur e pyetën Vladimir Putinin para disa muajsh se kush do të kishte dëshire me qenë presidenti i ardhshëm i Amerikës, tha: Joe Biden sepse tha se ‘Donald Trump është i paparashikueshëm’.

Sa prej juve besoni se kjo deklaratë e Putinit ishte e sinqertë?

Kurrkush më shumë se Hamasi nuk po e pengon krijimin e shtetit të Palestinës.

Ka shembuj të pafund.

Lajme të ngjashme