Qe qysh Murati e Kurti provuan të mashtrojnë me përqindjen e pagës mesatare në sektorin privat
Për katër vjet me radhë, zyrtarët e ish-qeverisë Kurti e institucionalizuan keqinterpretimin dhe manipulimin e qëllimshëm të të dhënave ekonomike si standard të komunikimit publik. Rasti më i fundit është ai i propagandës me numra lidhur me pagën mesatare në sektorin privat, ku ish-ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe deputeti Albin Kurti u përpoqen të glorifikojnë një rritje – të shtrembëruar – prej “+57%”.
“Paga mesatare në sektorin privat vitin e kaluar ka shënuar rritjen më të lartë historikisht! Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak. +218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2. +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara.” – shkroi mes tjerash Murati.
Përfshirje e qëllimshme e një periudhe jashtë mandatit të Qeverisë Kurti 2 ekspozon një teknikë tashmë të bërë zakon nga ish-qeveria Kurti për të fryrë artificialisht bilancin e progresit dhe për të krijuar një kontrast të favorshëm me qeveritë e mëparshme.

Megjithatë, përllogaritja e tij “+57%” përfshin edhe vitin 2020. Nëse krahasimi bëhet nga viti 2021 – kur Kurti 2 mori udhëheqjen – deri më 2024, rritja e pagës mesatare në përqindje rezulton rreth 42%, jo 57%. Pra, rritja e pagës mesatare nga viti 2021 (kur filloi mandati i Kurti 2) deri më 2024 është rreth 42%.
Por iluzioni i gjoja progresit katërvçjar në këtë drejtim nuk përfundon këtu. Rritje nominale e pagës bëhet dukshëm më pak domethënëse kur analizohet në terma realë: fuqia blerëse e qytetarëve është konsumuar nga një inflacion kumulativ prej 22% gjatë mandatit të qeverisë Kurti. Kur fuqia blerëse e rritje nominale të pagave indeksohet me inflacionin, përfitimi real për punëtoret e sektorit privat tkurret ndjeshëm.
Njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi, një ndër kritikët më të zëshëm të kësaj qasjeje të ish-pushtetit, theksoi se rritja e pagave nuk mund të trajtohet në vakum, pa u analizuar në kontekstin e standardit të jetesës dhe lëvizjes së çmimeve, veçanërisht atyre të produkteve bazike.
“Nuk diskutohet rritja e pagave pa u pa mirë inflacioni dhe standardi i jetesës. Sidomos çmimet. Ne duhet me shiqu mirë fuqinë blerëse. Sa ke ble më herët me pagën tënde dhe sa tani. Ekonomia dhe punësimi më së miri testohen dhe vlerësohen te arka e marketit.
Këtu e kemi të paraqitur indeksin e çmimeve në periudha të ndryshme kohore. Njëfarë mesatare e rritjes së çmimeve. Por edhe kjo (indeks, mesatare) nuk e tregon krejt realitetin, sepse ka produkte bazë që janë rritë shumë më shumë se sa tregon kjo mesatare.
Shembull konkret, nëse mollat para disa viteve i blejshim me 50 cent, tash kohën e fundit i kemi pasë deri në 1.5 euro/kg. Kjo është rritje prej 200%. Një inflacion astronomik. Edhe me i pas pagat 1,000 euro mesatare, përsëri fuqia blerëse nuk kishte qenë e njejt me më herët. Domatja, qepa, buka, mishi... Pra, indeksi është vetëm një mesatare teknike, e jo pasqyrë e gjendjes reale.” – shkroi ai mes tjerash.
Rritjen e pagës mesatare në sektorin privat, të cilën ministri Murati e prezantoi si arritje, e ka quajti “manipulative dhe hipokrite” edhe njohësi i ekonomisë dhe anëtari i PDK-së, Arben Mustafa. Ai ka kritikuar mënyrën e krahasimit, duke theksuar se është bërë “pa marrë parasysh inflacionin”.
“Ky reagim i tij është edhe manipulativ edhe hipokrit.
Manipulativ, sepse flet për paga pa e marrë parasysh inflacionin. Fuqia blerëse e një page të sektorit privat sot nuk është hiq më e lartë sesa që ishte në 2019, madje ka shënuar rënie.
Hipokrit, sepse pikërisht kjo qeveri nuk ka lënë gjë pa bë për ta luftuar sektorin privat, së fundi duke i çuar edhe drejt falimentimit për shkak të shtrejtimit të energjisë elektrike.” – tha Mustafa në një reagim në Facbook mes tjerash.