Qalaj: Policët në Leposaviq po flejnë në paketa që janë shtruar në pllaka
Ish-kryepolici i Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, në Teve1 është shprehur i shqetësuar me trajtimin e policëve që gjenden në pjesën veriore të Kosovës.
Qalaj ka thënë se që nga vendosja e barrikadave në tri komunat veriore, policët kanë mbetur të bllokuar.
Ai ka thënë se ata kanë mungesë të ushqimit dhe nuk mund të ndërrojë rrobat teksa sipas tij, gjumin e bëjën në “paketa”.
“E kemi një gjendje shumë të rëndë të policëve në stacionin policor në Leposaviq, dhe për çudi Qeveria, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë hesht. Policët flejnë në disa paketa që janë shtruar në pllaka, nuk kanë pasur mundësi që t’i ndërrojnë rrobat, fillimisht kanë pasur probleme edhe me ushqim. Me datën 11 janë furnizuar dhe deri të enjten e kanë hangër”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka thënë se policët i kanë të plotësuara të gjitha kushtet.
