PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, urdhëron certifikimin e Listës Serbe - NACIONALE

PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, urdhëron certifikimin e Listës Serbe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka miratuar ankesën e Listës Serbe dhe ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Në arsyetim, PZAP vlerëson se KQZ nuk ka ofruar bazë të mjaftueshme ligjore për të vërtetuar se kandidatët e kontestuar bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

Si rezultat, organi i ankesave ka urdhëruar KQZ-në të procedojë me certifikimin e listave të Listës Serbe në komunat ku ky subjekt ka aplikuar.

"I. APROVOHET e bazuar ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr.protokolli 01/2215/2025, i datës 21.08.2025, për shkak të mos certifikimit të Listës së kandidatëve për Asamble Komunale dhe kandidatëve për Kryetar të Komunës të subjektit politik Lista Serbe, për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të Republikës së Kosovës që do të mbahen më datë 12 Tetor 2025.

II. ANULOHET Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr.protokolli 01/2215/2025, i datës 21.08.2025, URDHËROHET Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të certifikojë subjektin politik Lista Serbe me listën e kandidatëve për Asamble Komunale dhe kandidatëve për Kryetar të Komunës të këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike me nr.ref. 35/2025, të datës 21.08.2025, për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të Republikës së Kosovës që do të mbahen më datë 12 Tetor 2025." - thuhet në vendim.

Vendimi i KQZ-së

Të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për të mos certifikuar Listën Serbe, çka la subjektin jashtë procedurave zyrtare për pjesëmarrje. Ky vendim nxiti menjëherë reagime të ashpra nga ndërkombëtarët.

Një ditë pas vendimit të KQZ-së, Lista Serbe bëri të ditur se e ka depozituar ankesën e saj te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian reaguan ashpër, duke shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale më 12 tetor”, është thënë në reagim.

Madje Kosova pranoi një paralajmërim me tone të prera se çelësi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian ndërlidhet drejtpërdrejt me “karakterin gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale”.

Në deklaratë, Bashkimi Evropian shprehu zhgënjim për mos-certifikimin e dy subjekteve politike të komunitetit serb dhe shprehu zhgënjim për qëndrimin e marrë nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.

Bashkimi Evropian është i zhgënjyer për mos‑certifikimin e 2 partive politike serbe të Kosovës. Ne shprehim keqardhje për qëndrimin e marrë nga Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.” – u tha në reagim.

Blloku e theksoi si pazëvendësueshëm karakterin gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Unionit.

“Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale që po afrojnë është kyç për marrëdhënien e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin detyrat e tyre në mbarë Kosovën, mbi bazën e një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.” – thuhet tutje.

Lajme të ngjashme