Putini takohet me ministrin e Jashtëm të Kinës: Gjithçka po lëviz para dhe po zhvillohet - NACIONALE

Putini takohet me ministrin e Jashtëm të Kinës: Gjithçka po lëviz para dhe po zhvillohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se marrëdhëniet e vendit të tij me Kinën janë duke arritur nivele të reja, përderisa kryediplomati kinez, Wang Yi, u prit në një takim në Moskë nga kreu i Kremlinit.

“Marrëdhëniet ruso-kineze janë duke u zhvilluar ashti siç planifikuam viteve të kaluara. Gjithçka është duke lëvizur përpara e duke u zhvilluar. Bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare mes Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës, siç kemi thënë në mënyrë të përsëritur, është shumë i rëndësishëm për stabilizimin e situatës ndërkombëtare”- tha presidenti rus para gazetarëve, raporton televizioni CNN.

Në anën tjetër, ministri kinez tha se të dyja vende “shpesh ballafaqohen me kriza e kaos, por në krizë ka gjithmonë mundësi”. “Kjo kërkon nga ne që t’i identifikojmë ndryshimet në mënyrë më vullnetare dhe t’u përgjigjemi ndryshimeve në mënyrë më aktive për ta forcuar më tutje bashkëpunimin tonë gjithëpërfshirës strategjik”- shtoi ai.

Vizita e profilit të lartë e udhëheqësit të diplomacisë kineze, vetëm pak ditë para përvjetorit të parë të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, besohet se është pararendëse e një takimi mes Putinit e presidentit kinez, Xi Jinping. Në dhjetorin e vitit të kaluar, dy udhëheqësit zhvilluan një takim nga largësia dhe presidenti rus i përshkroi marrëdhëniet mes dy vendeve si “më të mirat në histori” dhe e ftoi homologun kinez për ta vizituar Moskën në pranverën e këtij viti.

Të martën, gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se dy presidentët do të takohen në muajt e ardhshëm, duke cituar persona të afërt me këtë plan. Sipas kësaj gazete, organizimi i takimit është në fazë të hershme dhe se koha nuk është përcaktuar, duke shtuar se udhëtimi i presidentit kinez në Rusi mund të bëhet në prill ose në maj.

Ministri kinez arriti në Moskë vetëm disa ditë pas publikimit të shqetësimit të zyrtarëve amerikanë për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Kinës me Rusinë dhe për ndikimin që kjo marrëdhënie mund të ketë në luftën në Ukrainë.

Lajme të ngjashme