Putini i premton ushtrisë ruse “gjithçka që kërkon”
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka premtuar se qeveria e tij do t’i japë ushtrisë ruse “gjithçka që ajo kërkon” gjatë një takimi me zyrtarë të lartë ushtarakë, kur lufta në Ukrainë po hyn në muajin e njëmbëdhjetë.
Duke folur në Moskë gjatë seancës përmbyllëse të bordit të zgjeruar të Ministrisë së Mbrojtjes, Putini tha se nuk ka “kufizime të financimit” për ushtrinë. “Vendi, qeveria do t’i japin ushtrisë gjithçka që ushtria kërkon. Gjithçka”- deklaroi presidenti rus.
Pritet që Rusia t’i rrisë në masë dramatike shpenzimet ushtarake gjatë dy viteve të ardhshme, kur Putini po sinjalizon se është duke u përgatitur për luftë të gjatë e të kushtueshme me Ukrainën. Më herët këtë muaj, ai tha se konflikti mund të shndërrohet në “proces afatgjatë”. Kremlini nuk është duke shfaqur shenja se do të heqë dorë nga qëllimet maksimaliste për ndryshimin e regjimit në Ukrainë.
Fjalimi i presidentit rus të mërkurën ishte edhe shenjë se mobilizimi ushtarak nuk është zhvilluar si duhet. “Mobilizimi i pjesshëm, që është kryer, nxori në shesh probleme të caktuara, siç e di secili, të cilat duhet të adresohen me shpejtësi”- tha Putini të mërkurën.
“Kërkoj nga Ministria e Mbrojtjes që të jetë e vëmendshme ndaj të gjitha nismave civile, përfshirë marrjen parasysh të kritikave e dhënien e përgjigjeve në mënyrë korrekte, me kohë”- shtoi ai.
Duke i çmuar ushtarët rusë si “heronj”, Putini tha se gjysma e 300 mijë trupave të mobilizuara tash për tash janë të vendosura larg fushave të betejës.
“Kjo është rezervë e mjaftueshme për kryerje e operacionit special ushtarak”- tha ai.
Disa zyrtarë ukrainas pretendojnë se Moska është duke i ruajtur ushtarët e mobilizuar rishtazi për ofensivat që i planifikon në të ardhmen.
“”Pjesa e dytë e mobilizimit, përafërsisht 150 mijë [ushtarë], i kanë nisur kurset e tyre trajnuese në kampe të ndryshme”- tha javën e kaluar ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov.
