Puthja e vdekjes – Banditët lleftistë e asgjësuan pluralizmin
Col MEHMETI
10 tetor 2025 – Më 1977, çifti artist Marina Abramoviq dhe Ulay e interpretoi një performancë të paharruar artistike ‘Breathing In / Breathing out’ (Merr frymë, lësho frymë).
Kjo kuturisje kreativiteti bëhej në një kohë kur ne, në të dyja anët e kufirit komunist, ishim literalisht në agimin e historisë dhe kënaqeshim me forma minimaliste arti e asamble me dajre e lodra.
Ishte koha kur Ajfeli marksist-leninist shqiptar e dënonte artin perëndimor dhe devijancat e tij të papranueshme.
Ishte koha kur shpirtrobëruarit nga komunizmi i quanin art binat para koperativave ku viheshin këngëtarë popullorë dhe plot sevda e gënjenin veten se jetonin më mirë se Perëndimi.
Performanca artistike e Abramoviqit dhe Ulayit ishte e tillë që përmes një puthje 19-minutëshe çifti merrte e jepte oksigjen derisa ai u harxhua i tëri.
Në momentet në vazhdim, ata i jepnin njëri-tjetrit vetëm gulshe me dioksid karboni derisa në fund fare të dy u platitën përdhé pa ndjenja.
Ishte ky një shembull i rrallë i performimit pamor artistik ku sfidohej qenia fizike e rezilienca mendore.
Kjo performancë më vjen para syve sa herë e shoh çmendurinë kolektive në Kosovë ku për herë të parë kemi një publik fanatik
të kënaqur me regjimin e vet politik e me gomerët e ajetollahët që e drejtojnë atë.
Edhe guverna ilegale e bandës së majtë, edhe populli mbështetës i saj, janë në plot rrafshe si Abramoviqi me Ulayin.
Fillimisht, kjo lidhje plot tension filloi me gulshima oksigjeni që barteshin nga fyti në fyt, nga gabzheri në gabzher.
Oksigjeni shterroi qysh moti dhe tash qeveria u jep njerëzve injorantë gulshe të dioksidit të karbonit, por edhe këta të fundit e reciprokojnë ‘puthjen’ fatale me plot dioksid karbon.
Është çështje ditësh kur ky relacion i karbontë do t’i shembë pa vetëdije të dyja palët.
Në horizont nuk duket asnjë fije shprese që njerëzia në Kosovë do të shkëputën të neveritur nga eksperimenti albinkurtist.
Për një gjysmë dekade në pushtet, rënia e bandës lleftiste është gati minimale: sondazhe të numërta vënë në pah se banditët pësojnë vetëm aso rënie të pazararshme me përqindje të lehta.
Dhe kjo rënie është ditëshkurtër sepse me pak përpjekje sanohet çdo e plasaritur e regjimit.
Kurdo që prodhohen gjendje polarizuese që kërkojnë rreshtim këndej ose andej – dhe VV-ja ia ka dorën këtyre marifeteve për psikologji masash – rejtingu i saj merr flatra përpjetë.
Mjerimi i opozitarizmit parlamentar nuk ka qenë, siç mendohet kudo, qasja e tij defatiste e mosballafaquese.
Nëse rruga e ngjitjes së VV-së ishte ajo e shfuqizimit të çdo rregulli demokratik – ku përfshihej anarkizmi në rrugë, paramilitarizmi, terrorizmi e operacionet speciale psikologjike – është iluzion për çdo keqardhje që një parlamentarizëm i mirësjellshëm do ta vërë drejtësinë në vend.
Është e qartë se si dje, sot e nesër, opozita njëzëri do ta përjashtojë shndërrimin e vetes në një opozitë të sojit siç ishte Vetëvendosja nga 2010 deri më 2021.
Bukur fort!
Nuk do të ketë, së paku për një të ardhme të parashikueshme, aso skenash ku opozitarët aktualë do të marrin flamujt e ballafaqimit deri në flijim, protesta serioze, dhunë e anarki.
As militantët e tyre nuk do të spiralizojnë në aso çmendurie destruktive, si dikur VV-ja që opozitarizmin e vet nuk e kishte vetëm në paraqitje për media, teatralizma në Kuvend e prani në internet.
Ideologjia e saj vërtet shpërndahej me trakte e afishe online, por ajo e kishte dhe një kat përdhesë ku nga fjalët kalohej drejt në vepra të dëshmuara banditizmi. Prandaj, në katakombet e bunkerët e saj zinin vend kallashnikovë, granata, raketahedhës, helme e sprejë paralizues.
Meqë është konsensus kulturor e kombëtar i shqiptarëve që asnjëherë të mos hapen sëndukët e dhunës e as të nxirret xhindi i krimit politik nga llamba, opozita së paku do të duhej t’i rezistonte asimilimit të saj brenda një peizazhi distopik ku gjithçka është e formësuar prej VV-së.
Tri partitë opozitare nuk pësuan humbje në ditëzezën e 14 shkurtit dhe as nuk dështuan pse nuk u rikthyen sivjet më 9 shkurt.
Humbja e tyre është që ranë pre e asaj që në psikologji quhet ‘gaslight’, fjalë e sapoakredituar në psikologji për të shënjuar manipulimin e dikujt deri në atë shkallë sa ai e vë në pikëpyetje normalitetin e vetes dhe aftësitë gjykuese.
Kjo është arsyeja pse imagjinata e partive opozitare është frustrueshëm e varfër sepse konflikti politik më nuk është siç do të duhej të ishte, d.m.th njerëz normalë kundër një bande të çmendur lleftiste, por shamatë e VV-së me disa VV të tjera.