Pushteti refuzoi amendamentin për rritjen e fondeve për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, ministri për Vlerat e Luftës heshti
Deputetët e VV-së në seancën e djeshme për Buxhetin 2026 kanë refuzuar disa amendamente të deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që kishin të bënin me mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës.
Ndonëse ato amendamente refuzoheshin nga pushteti pa ndonjë arsye, kjo nuk i bëri fare përshtypje Ministrit të Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, Andin Hotit, i cili qëndronte në sallë dhe vetëm shikonte.
Ani pse përshkrim të punës e ka mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, ai ka heshtur edhe ndaj amendamentit të PDK-së për rritjen e fondeve për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Pavarësisht argumenteve pro këtij amendamenti, pushteti e refuzoi atë dhe ministri nuk e tha asnjë fjalë.
Deputetja Blerta Deliu ka treguar se ky amendament është refuzuar nga deputetët e VV-së edhe në Komisionin për Buxhet.
“Kemi pasur amendamente që kërkon rritjen e fondeve për mbështetjet në mbrojtjen juridike për proceset gjyqësore në Hagë që luftëtaret tanë të lirisë të sigurohen që të kenë një mbrojtje dinjitoze, përfshirë këtu edhe mbrojtje më të mirë për Sali Mustafën e Pjetër Shalën në shkallën e dytë”, ka thënë Deliu.
Ministri Hoti ka heshtur edhe ndaj amendamentit të deputetit të LDK-së, Fadil Haderxhonaj, i cili kishte të bënte me fillimin e punimeve në Kompleksin Memorial të Betejës së Kosharës.
Me votat e deputetëve të VV-së është rrëzuar edhe amendamenti i deputetit Armend Zemaj për ndërtimin e muzeut të luftës në fshatin Lubeniq të Pejës, i cili do të tregonte për masakrën e forcave serbe në këtë fashat.
Gjithashtu, ministri Hoti ka heshtur edhe ndaj amendamentit të deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, për investim adekuat për projektin e Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit. Edhe ky amendament u rrezuar me votat e pushtetit.
Pavarësisht kërkesave të rëndësishme të opozitës për mbrojtjen e luftës çlirimtare, ministri që thirret në mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së nuk e tha asnjë fjalë.
Megjithatë, Andin Hoti kur e kishte marrë detyrën e ministrit ishte zotuar se do t`i mbronte fort vlerat e luftës.
Në ditën e betimit si ministër në Kuvend, ai premtoi angazhim maksimal.
“Sot, me përulësi dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, mora detyrën e Ministrit të Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës. E falënderoj Kryeministrin Kurti për besimin, secilin deputet për votën e dhënë dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur në rrugëtimin tim politik. Ky s’është vetëm nder dhe privilegj i veçantë për shërbim ndaj qytetarëve, por edhe obligim e përgjegjësi për objektivat e qeverisë e për zhvillim. Përgjegjësi për punëtorët, për familjen dhe për kategoritë më sublime, që meritojnë më shumë drejtësi, dinjitet dhe përkujdesje. Angazhimi im do të jetë maksimal, i ndershëm dhe i palëkundur”, kishte shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.