Pushteti kundër mediave: 10 rastet më të bujshme të suljes ndaj gazetarëve - NACIONALE

Pushteti kundër mediave: 10 rastet më të bujshme të suljes ndaj gazetarëve

2 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Nuk ka diçka që e pengon Qeverinë dhe partinë e drejtuar nga Albin Kurti më shumë se mediat. Thënë popullorçe, ky pushtet gazetarët i ka “therrë në sy”. S’ka thuajse javë që nuk përballemi me sulme të vazhdueshme e të orkestruara, të cilat jo veç që janë shqetësuese, por edhe të frikshme. Rasti i fundit është ai i gazetarit Lirim Mehmetaj.

Për të shkruar rreth këtyre sulmeve, nuk mjafton një tekst me 500 shkronja. S’i përmbledh të gjitha.

Gazetari Lirim Mehmetaj të martën njoftoi se është ftuar për t’u paraqitur në Prokurori për veprën “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Ai madje tha se “po i përgatitej një arrestim nga pushteti”.

Kjo shkaktoi reagime të shumta, derisa nuk duhet harruar edhe arsyen se pse u ftua për intervistim. Krejt kjo lidhet me disa reagime të tij ndaj deputetit të VV-së, Dimal Basha.

Ky i fundit kishte bërë deklarata raciste ndaj qytetarëve nga rajoni i Drenicës, duke u shprehur:

“Është marrëveshja e KOSTT-it, për përmirësimin e rrjetit energjetik, e kemi ngohtoren e Prishtinës. Kush është ai njeri, se krejt këta të PDK-së prej Drenicës kanë dalë në Prishtinë, lypin me u nxe dimrit, ama nuk votojnë marrëveshje që e rrisin kapacitetin e ngrohtores në Prishtinë.”

Jo veç me Prokurori. Se qysh i organizon Lëvizja Vetëvendosje sulmet ndaj gazetarëve, pamë me fakte javën e kaluar.

Nacionale publikoi pamje ekskluzive, ku prej karriges së Kuvendit, ku e kanë vendosur qytetarët me votë e ku paguhet pikërisht me taksa të tyre, një deputete “dirigjohej” se si të sulmonte me fjalë një gazetar.

Koordinatorja për komitete në VV, Dejona Mihali, figurë që e kontrollon VV-në nga Shqipëria, i tregonte deputetes Adriana Matoshi se si të shkruante një postim kundër gazetarit Ilir Mirena.

Për më tepër, jo veç aktivistë e deputetë të kësaj partie sulmojnë gazetarë.

Se sa i ka “therrë në sy”, e ka shprehur publikisht edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Afera “Zdravo”, që e implikonte shefen e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, të koordinohej me terroristin Milan Radojçiq për listat e veteranëve, e “dridhi” skenën politike në Kosovë.

Kishte shkaktuar disa reagime të çuditshme në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët nuk merreshin me atë që e ka folur shefja e deputetëve të tyre me zyrtarë të Listës Serbe, por me Nacionalen se si i siguroi incizimet.

Kështu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte bërë një reagim ndaj një proteste që ishte thirrur nga veteranët, pikërisht për këtë çështje.

Në atë postim, ai do të sulmonte me veteranë, me gazetarë, me çka ka.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”kishte shkruar ai.

Jo shumë kohë më parë, Sveçla kishte bërë edhe një sulm verbal ndaj gazetares Besarta Hoti. Kjo ishte evidentuar edhe në raportin e D4D.

“Besarta Hoti – gazetare, është quajtur “budallaqe” në një konferencë për media kur ka bërë një pyetje jo të dëshirueshme lidhur me punësimet familjare” – thuhej në raport.

Ndërkohë, për aferën “Zdravo” na paditi edhe Mimoza Kusari – Lila.

Shefja e deputetëve të VV-së kishte pretenduar se Nacionale i kishte prerë bisedat, kishte interpretuar dhe ishte komentuar nga gazetari Berat Buzhala.

“Sot biseda e lëshuar, të cilën e kam dëgjuar para se të vija në studio te ju, për dallim të asaj mbrëmë që e kam dëgju në studio, në kuptimin e përmbajtjes kur kam lexu titujt, e kam kuptu që sot përveç që është e prerë, dmth është e cunguar, gjithashtu përmban edhe interpretime edhe komente të vazhdueshme të Berat Buzhalës, për të cilat ne tash definitivisht do të ballafaqohemi në gjyq…” ishte shprehur ajo.

Nacionale gjatë vitit 2023 kishte publikuar edhe përgjime të tjera, ku konfirmoheshin keqpërdorimet me rezervat shtetërore. Sërish, ishim paditur.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kishte njoftuar për këtë përmes një fotografie të publikuar para prokurorisë me një letër në dorë, e që më pas do të bëhej edhe “meme” .

Një rast që vazhdon edhe sot të diskutohet, është skandali qindra-mijëra eurosh i ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj. Kur ishte pyetur për këtë çështje, presidentja Osmani ishte shprehur goxha e irrituar me mënyrën se si kishin raportuar mediat, duke u shprehur:

“…është për keqardhje që ju (mediat) konstatoni një gjë të tillë për ambasadorin pa u konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë”.

Sidoqoftë, këto janë vetëm “maja e iceberg-ut”. Që prej kur e mori pushtetin, Qeveria Kurti dhe VV-ja në vazhdimësi i kanë sulmuar mediat dhe në vazhdimësi janë kritikuar nga organizatat e njohura e janë përmendur edhe në raporte të BE-së për këtë gjë.

Jo shumë kohë më parë, Prindon Sadriu, a.k.a Zotëria i Parë, i kishte quajtur mediat “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministri Kurti, i kishte përshkruar si “kompani të kriminalizuara”.

Një prej rasteve eklatante të suljes ndaj mediave, ishte edhe ai i vitit 2021, kur pas thirrjes së Arben Vitisë për hetime ndaj Gazetës Insajderi, Policia ia kishte mësyrë zyrave të mediumit.

Ai që qëndron në krye të Qeverisë e VV-së, Albin Kurti, në çdo paraqitje, sidomos jashtë vendit, flet për ngritje në renditjen për lirinë e mediave. Për çfarë lirie të mediave po flet ai?

Lajme të ngjashme