Pushteti iu përgjigjet kritikave të BE-së pas aksionit për dinarin në veri
Pushteti ka filluar me reagime ndaj Bashkimit Evropian të cilët kritikuan ashpër aksionin e fundit të Qeverisë së Kosovë në veri të vendit për çështjen e dinarit. Në këtë aksion janë mbyllur gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale në veri të vendit. Qeveria Kurti përmes zëdhënësit, Përparim Kryeziu, e kanë parë si reagim ironik e mashtrues ndaj veprimeve të Qeverisë për dinarin.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka reaguar Bashkimit Evropian, dhe e ka quajtur “mashtruese” deklaratën e BE-së.
“Sugjerimi i EEAS në deklaratën e saj sot – që strukturat ilegale në Kosovë duhet të trajtohen dhe të zgjidhen në lidhje me Asociacioni. – është një paraqitje ç’orientuese e asaj që Asociaiconi ishte menduar ndonjëherë të ishte. Së pari, nuk është një ombrellë për legalizimin e strukturave të krijuara në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme.” – ka shkruar Kryeziu në rrjetin social “X”.
“Për më tepër, sundimi i ligjit nuk duhet të perceptohet si sjellje përshkallëzuese. Është ironike që BE-ja të reagojë kundër veprimeve që janë në përputhje me sundimin e ligjit, kur misioni më i madh civil i BE-së quhet Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).” – ka thënë tutje ai.
Edhe Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, i ka reaguar ashpër zëdhënësi të Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano.
Stano ka kritikuar Qeverinë Kurti pas aksionit në veri të vendit dhe mbylljen e bankave atje.
E për këtë, Basha ka dhënë interpretimin e tij për deklaratën e Stanos.
“Peter Stano paska thanë se lufta jonë kundër kriminelëve është eskaluese dhe shkon kundër dialogut dhe frymës së normalizimit! Pra BE po na thotë që duhet me leju krimin e Serbisë në Kosovë për me i normalizu marrëdhëniet, përndryshe me luftu krimin na qenka anti-normalizim! O tempora, o mores!” – ka shkruar Basha në Facebook.
Kritika e BE-së
BE-ja ka thënë se këto veprime janë përshkallëzuese dhe në kundërshtim me frymën e normalizimit.
“Bashkimi Evropian ka parë me shqetësim operacionin policor të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare Serbe në veri të Kosovës."
"Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të Dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe mirëbesimin e Kosovës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut.” – thuhet në komunikatë.
Sipas BE-së, operacioni rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së për dinarin.
BE-ja ka thënë se çështja e strukturave të Serbisë është parparë që të zgjidhet me themelimin e Asociacionit.
“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet më shumë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj. Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.” – thuhet mes tjerash.
Kujtojmë se edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit janë shprehur të zhgënjyer, pasi sipas tyre, aksioni nuk ka qenë i koordinuar.