BE e ashpër: U dëshmua që Kosova ka prioritet veprimet e njëanshme, e jo bashkëpunimin me aleatët
Bashkimi Evropian ka dalë me një komunikatë të ashpër pas aksioni të Policisë së Kosovës në veri ku u bastisën disa zyra financiare të të ashtuquajturës “Banka Postare Kursimore”. Blloku konsideron se qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime të njëanshme e të pakoordinuara.
BE përmes një njoftimi në faqën zyrtare të Shërbimit të Jashtëm, deklaron që këto veprime janë përshkallëzuese dhe në kundërshtim me frymën e normalizimit.
“Bashkimi Evropian ka parë me shqetësim operacionin policor të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare Serbe në veri të Kosovës.
Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të Dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe mirëbesimin e Kosovës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut.” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu, operacioni sipas BE-së rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së për dinarin.
“Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia.” – thuhet mes tjerash.
BE tutje deklaron se u dëshmua që autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara.
“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet më shumë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj. Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.” – thuhet mes tjerash.
Ndërkohë, në fund të komunikatë, shkruan:
“BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga Lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transfera financiare nga Serbia”.
Reagim i ashpër edhe nga ShBA-të
Në një përgjigje për mediat, nga Departamenti amerikan i Shtetit iu kërkua Kosovës që t’i kthehet “angazhimit konstruktiv” në dialog.
Po ashtu, citohej se nga DASh, janë shprehur të zhgënjyer, pasi sipas tyre, aksioni nuk ka qenë i koordinuar.
"I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj - duke përfshirë ato të minoritetit serb - të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat.” – thuhej në përgjigje.