Punëtori e pyet Musk-un në “Twitter”: A jam shkarkuar nga puna?
Një punëtor i rrjetit të njohur social, “Twitter”, e ka pyetur shefin e kompanisë, miliarderin Elon Musk, nëse ai është shkarkuar nga puna.
Në shkrimin e tij, punëtori Halli Thorleifsson tha: “Shefi yt i burimeve njerëzore nuk ka mundësi që të konfirmojë nëse jam i punësuar apo jo.”
Musk-u u përgjigj duke pyetur: “Çfarë pune ke qenë duke bërë?”
Punëtori i tha televizionit BBC se nëntë ditë pasi i kishte humbur qasja në llogaritë e kompanisë, ai nuk dinte nëse është shkarkuar apo jo.
Pas një vargu të pyetjeve dhe përgjigjeve me Musk-un, që dukeshin si intervistë e drejtpërdrejtë për punë, Thorleifsson-i tha se kishte pranuar një shkresë elektronike, me të cilën i konfirmohej shkarkimi nga puna.
Kompania “Twitter” nuk i është përgjigjur menjëherë një kërkese të BBC-së për ta komentuar këtë çështje.
Punëtori 45-vjeçar ishte drejtor i lartë për dizajnimin e produkteve. Ai i tha televizionit se paqartësia për vendin e tij të punës ishte e çuditshme dhe shumë stresuese.
“E hapa kompjuterin tim të dielën në mëngjes, para nëntë ditëve, dhe pashë që ekrani ishte i hirtë dhe i mbyllur, duke dhënë shenjë që isha larguar nga llogaritë e mia në Twitter”- tha ai.
“Pasi kishin kaluar disa ditë, fillova që të kontaktoja me njerëz, përfshirë Elon-in dhe shefin e burimeve njerëzore për të pyetur rreth situatës sime. Shefi i burimeve njerëzore më ka shkruar dy herë përmes postës elektronike dhe nuk ka arritur që të më përgjigjet nëse jam punëtor në Twitter”- shtoi punëtori.
Pak pas shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve me shefin në rrjet, punëtori tha se departamenti i burimeve njerëzore e kontaktoi dhe i tha se ishte shkarkuar.

