Elon Musk planifikon të largojë nga puna 75% të punëtorëve të Twitter
Sipas një raporti të publikuar nga The Washington Post, Elon Musk është duke planifikuar të pushojë nga puna pjesën më të madhe të fuqisë punëtore në Twitter, pasi të bëhet pronar i kompanisë.
Sipas raportit, Musk u ka thënë investitorëve të mundshëm në Twitter se ai planifikon të shkurtojë gati 75% të bazës së punonjësve - prej 7,500 punëtorësh, duke e lënë kompaninë me një ekuipazh të vogël.
Associated Press shkruan se, ndërsa shkurtime të vendeve të punës kanë qenë të pritura, madhësia e planifikuar nga Musk është shumë më ekstreme se çdo gjë që kishte planifikuar Twitter. Në të kaluarën edhe vetë Musk kishte folur për nevojën e uljes së numrit të punëtorëve, megjithatë ai nuk kishte dhënë ndonjë shifër – të paktën jo publikisht.
“Një shkurtim i numrit të punonjësve prej 75% do të tregonte flukse më të forta të parave të lira dhe përfitim, gjë që do të ishte tërheqëse për investitorët që kërkojnë të hyjnë në marrëveshje”, është shprehur analisti i Wedbush, Dan Ives.
Ives më tej ka shtuar se një reduktim i tillë drastik i fuqisë punëtore të Twitter ka mundësi të kthejë kompaninë shumë vite prapa.
Kujtojmë se, pas ofertës së tij fillestare prej 44 miliardë dollarësh në prill për të blerë Twitter, Musk u tërhoq nga marrëveshja, duke pretenduar se Twitter keqprezantoi numrin e llogarive të rreme “spam bot” në platformën e tij. Më pas Twitter ngriti një padi, dhe gjykata u ka dhënë kohë të dyja palëve deri më 28 tetor për të përcaktuar detajet.
Një gjyq i ri mbi çështjen do të mbahet në muajin nëntor.
