Elon Musk-u e merr kontrollin në “Twitter”, e shkarkon shefin ekzekutiv - NACIONALE

Elon Musk-u e merr kontrollin në “Twitter”, e shkarkon shefin ekzekutiv

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Miliarderi amerikan, Elon Musk, e mori kontrollin në kompaninë “Twitter” dhe shkarkoi drejtues të lartë të saj të enjten vonë pas blerjes së njërës nga platformave kryesore të rrjeteve sociale.

Musk-u i shkarkoi shefin ekzekutiv të kompanisë, Parag Agrawal, shefin financiar dhe shefin për siguri, raportoi gazeta amerikane, “The Washington Post”.

Përmbyllja e marrëveshjes për shitjen e kompanisë e shënon kulmin e një beteje të gjatë mes miliarderit dhe rrjetit të famshëm social.

Musk-u ishte munduar që të tërhiqej nga marrëveshja për blerje pak kohë pas pranimit të ofertës së tij në prill. Në korrik, ai tha se e ka anuluar kontratën, për shkak se është mashtruar nga “Twitter”-i në lidhje me numrin e llogarive të rreme. Kjo akuzë ishte mohuar nga kompania.

Pas përpjekjeve të Musk-ut që të tërhiqej nga marrëveshja, “Twitter”-i paraqiti padi për ta detyruar miliarderin që ta respektonte marrëveshjen.

Disa punëtorë, të cilët nuk do të donin të punonin për Musk-un, tashmë janë larguar nga kompania, tha një burrë që kërkoi të mbetej anonim për të folur më lirshëm.

“Por një pjesë e njerëzve, duke më përfshirë mua, janë të gatshëm që t’ia japin atij përfitimin e dyshimit tash për tash”, tha punëtori.

Udhëheqja e këtij rrjeti social nga miliarderi Musk i ka alarmuar aktivistët, të cilët kanë frikë se do të ketë shtim të ngacmimeve dhe keqinformimit, pasi vetë amerikani njihet për ngacmimin e përdoruesve të tjerë të këtij rrjeti.

Pritet që ardhja e Musk-ut në krye të rrjetit të njohur social t’ia hapë rrugën kthimit në platformë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Presidentit të atëhershëm amerikan i ishte bllokuar llogaria për shkak të shqetësimeve se ai do të nxiste dhunë si rasti i sulmit vdekjeprurës ndaj Capitol-it në Uashington për ta kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, sipas të cilit Joe Biden u shpall fitues dhe u zgjodh president./Nacionale

Lajme të ngjashme