Publikohet zyrtarisht Udhëzimi Administrativ që u hap rrugë zgjedhjeve në veri - kështu duket formulari dhe kërkesa
Tashmë edhe zyrtarisht është publikuar Udhëzimin Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni. Ky udhëzim është përpiluar tani kur po kërkohet largimi i kryetarëve shqiptarë nga katër komunat veriore – Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se ka përfunduar hartimi i Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve nga komunate veriore.
Sipas ministrit Krasniqi, Udhëzimi e përcakton procedurën për inicimit për largimin e kryetarëve nga funksioni.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni. Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se pjesë e hartimit të këtij Udhëzimi kanë qenë intitucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, megjithatë pati shumë kritika për jotransparencë.
“Pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Për këtë çështje marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtësore janë adresuar.” – ka thënë ai.
“Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët.” – përfundon shkrimi i tij.
Çka thuhet në Udhëzimin Administrativ?
Neni 4 - Iniciimi i kërkesës për largimin e kryetarit të komunës
1. Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës, në bazë të ligjit dhe në përputhje me rregullat e këtij Udhëzimi Administrativ.
2. Kërkesa e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën njëzet (20) përqind e votuesve me të drejtë vote në komunën përkatëse.

3. Kërkesa për largimin e kryetarit të komunës duhet të përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët duhet të informohen qartë, drejtë dhe me saktësi për qëllimin e kërkesës dhe efektet e saj.
4. Mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë të qytetarëve...
Neni 5 - Iniciimi i procedurës
1. Qytetarët e interesuar për inicimin e procedurës së largimit të kryetarit të komunës nga funksioni, duhet të themelojnë një grup nismëtar. Grupi nismëtar përbëhet nga tre (3) ose më shumë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse.
2. Grupi nismëtar, para se të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të kërkesës, duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal dhe mund të njoftojë KQZ. Kryesuesi i kuvendit komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtetin lokal dhe KQZ. Njoftimi përfshin përbërjen e grupit nismëtar, definimin e çështjes dhe arsyetimin e kërkesës (Shtojca 2).
3. Kryesuesi i kuvendit komunal, jo më vonë se pesë (5) ditë nga pranimi i njoftimit, shqyrton kërkesën e paraqitur dhe regjistron grupin nismëtar si palë e autorizuar. Në rast të dështimit të regjistrimit brenda këtij afati

Neni 7 - Dispozitat përfundimtare
1. Procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.
2. KQZ duhet të ndërmarrë veprimet për administrimin e procesit të votimit për largimin e kryetarit nga funksioni, i cili zhvillohet jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë nga dita e konstatimit përfundimtar se kërkesa për largimin e kryetarit është mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar në komunën përkatëse. Për çdo fazë të procesit KQZ konsultohet me kryesuesin e kuvendit komunal dhe grupin nismëtar.
3. Nëse shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista e përfundimtare e votuesve, pesëdhjetë përqind plus 1 (50% + 1), votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.
Gjithashtu, në këtë udhëzim janë publikuar edhe fotografitë se si do të duket formulari për inicim të kërkesës për largim të kryetarit të komunës si dhe forma për nënshkrimin e iniciativës.
Ndërkohë, qeveria ka thënë se kjo është forma e vetme që mund të ketë zgjedhje në veri të vendit.
Klikoni KËTU për të lexuar të plotë Udhëzimin Administrativ.


